2016-08-24 15:09:00

Thirrje e Papës për Ukrainën: t’u jepet fund konflikteve, të lirohen pengjet


Pas Rruzares, duke përshëndetur shtegtarët e shumtë në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, Papa  Françesku bëri përsëri thirrje për Ukrainën dhe përsëriti lutjen për Francën.

Në Ukrainë vijojnë luftimet e, këto javët e fundit vëzhguesit ndërkombëtarë - tha Papa Bergoglio - kanë shprehur shqetësimin e tyre për keqësimin e  situatës në zonat lindore të vendit: “Sot, kur ky komb i dashur kremton festën kombëtare, që sivjet përkon me 25-vjetorin e pavarësisë, e siguroj se lutem për paqen dhe përsëris thirrjen drejtuar të gjitha palëve në konflikt si dhe instancave ndërkombëtare, të forcojnë nismat, që përfundojnë ndeshjet, të lirohem pengjet e t’i jepet  përgjigje emergjencës humanitare”.

Ndërsa për Francën, natën e festës së Shën Luigjit, Papa Françesku u lut për popullin  dhe për qeveritarët e tij, duke i ftuar për shpresë, pavarësisht nga druajtjet. E të gjithë i ftoi ta ndihmojnë të afërmin: “Ne prekim Jezusin, kur dalim të ndihmojmë vëllezërit e motrat në nevojë, e duke prekur Krishtin Shëlbues, e përtërijmë jetën tonë. Zoti ju bekoftë të gjithë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.