2016-08-23 11:25:00

Papa: “Dialogu dhe larmitë janë pasuri”


“Është një fjalë, që nuk duhet të lodhemi kurrë duke e përsëritur, e posaçërisht, duke e dëshmuar: ‘dialogu’”. Kjo, ftesa kryesore drejtuar nga Papa Françesku Mitingut të Riminit, që  përfundon më 25 gusht. Dialogu - nënvizon Ati i Shenjtë Bergoglio - nuk e varfëron shikimin tonë, përkundrazi. Na bën ta njohim të vërtetën e tjetrit, rëndësinë e përvojës së tij, interesat, edhe kur fshihen pas sjelljeve, që ne mund të mos na pëlqejnë. Është pasurim, pra, jo varfërim - vijon të theksojë Françesku. 

Kujtojmë se Mitingu i 37-të i Lëvizjes “Bashkim e Çlirim”, sivjet i kushtohet temës: “Ti je pasuria ime”. Titull ky, që përkon plotësisht me këtë udhë, nisur më 1980. E përkon edhe me Vitin Jubilar të Mëshirës. Mëshira, siç na  e kujton Papa Françesku, është udha që bashkon Zotin me njeriun, sepse e nxit ta shikojë me sy të sinqertë vëllain, që e takon në udhën e jetës. Në Miting po flitet për krizën e shoqërisë, mikpritjen dhe solidaritetin, takimin me tjetrin në një mënyrë të re e tema të tjera aktuale.








All the contents on this site are copyrighted ©.