2016-08-23 10:47:00

Mitingu i Riminit, ekspozitë ACS kushtuar persekutimeve kundër të krishterëve


Në Mitingun e Lëvizjes “Bashkim e Çlirim”, që përfundon me 25 gusht në Rimini, spikati një ekspozitë kushtuar të krishterëve të persekutuar, që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Organizatore e saj, “Ndihmë për Kishën që Vuan”, Fondacion i së drejtës papnore, që mbështet, me një në sërë nismash, bashkësitë kishtare në botë. Ftuam, në mikrofonin tonë, drejtorin e fondacionit, Alessandro Monteduro, të cilit i drejtuam pyetjen: “Ç’përgjigje mund t’i jepet dramës së diskriminimit të të krishterëve në botë?”:

Përgjigje: - Kam krenarinë ta jap këtë përgjigje, që shpesh qeveritë nuk janë në gjendje ta japin, duke folur në emër të “Ndihmë për Kishën që Vuan”. Ne, në Rimini, në Miting, e dhamë plastikisht, me ekspozitën. Ndërsa këtu po jap vetëm disa shembuj: atyre, që vranë ardhmërinë e Afrikës – sepse të vrasësh 149 studentë e studentesha të krishtera të Garisës, në Kenia, do të thotë të vrasësh pikërisht  ardhmërinë e Afrikës – ne iu përgjigjëm me 11 mijë seminaristë, që i formuam vetëm brenda vitit 2015. Atyre, që vranë, pa bërë asnjë dallim, në Dacca, më 1 korrik 2016, 20 njerëz të pambrojtur, vetëm për faktin se ishin perëndimorë, ne iu përgjigjëm me prindërit e Simona Montit, një nga dhjetë viktimat italiane,  duke ngritur, 150 kilometra larg Dacca-s, një kishë, falë ndihmesës së tyre. Në Lahore të Pakistanit, atyre që më 27 mars 2016, natën e Pashkëve, vranë 72 njerëz, ndërmjet të cilëve 30 fëmijë, ne i përgjigjemi me “Biblën e fëmijës”, 52 milionë kopje, nga viti 1979, në 187 gjuhë, dialekte, idioma të ndryshme, edhe në urdu, që është gjuha e Pakistanit, shpërndarë në mbarë botën. Atyre, që therën Atë Jacques, më 26 korrik, një muaj më parë, ne u përgjigjemi me fushatën planetare për formimin e njëmijë meshtarëve. Tmerrit ne i përgjigjemi me shpresë!

Pyetje: - Nuk është gjë e re në histori vdekja për fenë….

Përgjigje: - Jo, nuk është… Në ekspozitën tonë treguam se kjo histori vijon edhe në shekullin XX, për shembull. Në shekullin XX numërohen 45  milionë viktima për shkaqe fetare. Mendoj se sot persekutimi për arsye fetare, antikristiane, nuk është bir i fundamentalizmit, por i fundamentalizmave, e jo vetëm i fundamentalizmave, por edhe i shumë regjimeve totalitare. E numrat dëshmojnë se persekutimi vijon të përhapet gjithnjë më shumë. Sot llogariten më se 20 milionë të krishterë pak a shumë të diskriminuar.

Pyetje: - Të krishterët vriten shpesh, por nuk mungojnë as myslimanët e vrarë. E edhe besimtarë të feve të tjera, e jo vetëm për shkaqe fetare, por edhe politike e, madje, edhe ekonomike…

Përgjigje: - Nuk kemi të bëjmë me luftë ndërmjet besimeve. Për të bërë luftë, duhet të jenë përballë dy palë ndërluftuese. Ndërsa ne nuk jemi në luftë me askënd. Ati i Shenjtë e ka kujtuar mrekullisht mirë këtë, edhe këto ditët e fundit. Mund të flasim për luftë brenda një feje, duke pasur parasysh se ndarja ndërmjet shiitëve e sunnitëve është historike; e historik, edhe vizioni i tyre për ardhmërinë e Islamit në botë. Jo, njerëzit nuk po vriten për fenë. Kush godet “Bataclan-in”, për shembull, kush sulmon Dacca-n, godet perëndimorët, duke i quajtur “kryqtarë”. Po kjo është propagandë  e ekstremistëve islamikë, që ne nuk duhet ta pranojmë.

Pyetje: - A ka shkaqe ekonomike për të përligjur persekutimin?

Përgjigje: - Natyrisht po: një vizion i çmendur, fanatik i një ideologjie fetare, i shtyrë deri në ekstremizëm, nxitet sigurisht nga arsye ekonomike si dhe nga etja për pushtet. Ajo, që na intereson, është si t’u japim ndihmesën tonë, jo vetëm me lutje, jo vetëm me formin e informim, për shembull, 125 mijë të krishterëve, që vijojnë të jetojnë në kushte vështirësish të patregueshme në Kurdistanin irakian e që nuk kanë as ku të mbështesin kokën, sepse të mbetur fare pa strehë. E, megjithatë, shpresojnë të hyjnë përsëri në Mosul. Asnjë nuk kërkon të vijë në Evropë. Në Erbil, në muajin prill, takova me qindra prej tyre. Askush nuk më pyeti si mund të arrijë në Evropë. Të gjithë, si mua, ashtu edhe pjesëmarrësit e tjerë të delegacionit të “Ndihmë për Kishën që Vuan”, na pyesnin: “Kur mund të rikthehemi në Mosul?”.








All the contents on this site are copyrighted ©.