2016-08-23 13:12:00

Kisha në Shqipëri: aktivitete për Kanonizimin e së Lumes Nënë Terezë


Kisha në Shqipëri: aktivitete për Kanonizimin e së Lumes Nënë Terezë

Në një letër të datës 7 korrik 2016, Presidenti i Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë, Imzot Angelo Massafra, njofton për aktivitetet e kremtimet, për kanonizimin e së Lumes Nënë Terezë, që mbahen në dioqezat e ndryshme të Shqipërisë nga 22 gushti deri më 28 tetor 2016, si dhe për disa programe e kremtime që do të mbahen në Romë dhe në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, nga 1 deri më 8 shtator 2016. Më poshtë letra e kryeipeshkvit Shkodër-Pult, imzot Angelo Massafra:

Të nderuar Ipeshkvij,

Të nderuar Meshtarë, Regulltarë dhe Regulltare,

Në mbledhjen e zakonshme të majit, Konferenca jonë ka formuar një Komision për përgatitjen e Kanonizimit të së Lumes Nënë Tereza, që do të bëhet më 4 shtator 2016 në Romë.

Komisioni është përbërë nga: Imzot Angelo Massafra, Imzot George Frendo, Imzot Dodë Gjergj, dom Simon Kulli dhe dy Motra të Nënë Terezës.

Më 15 qershor Komisioni është takuar në Shkodër për të përgatitur programin për aktivitetet me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezes. Këtij komisioni u shtuan dy meshtarë: dom Artur Jaku dhe Atë Aurel Gjerkaj, që të organizojë ngjarjen historike e Lumturimit të Imzot Vinçenc Prennushit dhe 37 shokëve, Martirë.

Për tani po ju dërgojmë vetëm njoftime për aktivitetet kishtare brenda Shqipërisë dhe në Romë. Në të ardhmen, duke pritur përgjigjen e Shtetit, ju dërgojmë edhe programe të përbashkëta.

Ja programi i aktiviteteve me rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Propozime për disa aktivitete për Dioqezat e Shqipërisë:

1. Aktivitete me të varfrit.

2. Muzikal i Nënë Terezës.

3. Konferencë shkencore.

4. Botime të ndryshme si: figure të Nënë Terezës, fletëpalosje për familjet etj.

5. Dëshmi të motrave të Nënë Terezës, në Katedrale apo në famulli sipas kërkesës.

6. Ekspozitë për Nënë Terezën në datat si më poshtë:

·         Datë 22 gusht – 11 shtator, në Sapë

·         Datë 12 shtator – 18 shtator, në Lezhë

·         Datë 19 shtator – 25 shtator, në Rrëshen

·         Datë 26 shtator – 3 tetor, në Shkodër

·         Datë 3 tetor – 19 tetor, në Tiranë

·         Datë 20 tetor – 28 tetor, në Jug

Më 10 shtator, e shtunë: Meshë falënderimi, në nivel kombëtar, në Katedralen e Sapës në orën 10:00 (po në këtë datë mund të bëhet dhe në Katedralen e Prishtinës).
Më 11 shtator, e diela, mesha e falënderimit në çdo famulli. (Po ashtu më datë 11 shtator një delegacion shkon në Shkup)
Komisioni ngarkoi me detyrën e botimeve Imzot Angelo Massafra (poster, figure, librezë për Nëntëditëshin).
Komisioni propozon që në të gjitha të dielat të gushtit të flitet në homelinë edhe për përshpirtërinë e Nënë Terezës.

Aktivitete në Romë e Vatikan për kanonizimin e së Lumes Nënë Terezë:

Më 2 shtator: Vigjilja në Bazilikën e Shën Giovanni in Laterano në Romë, ora 20.30

Më 3 shtator: Koncert në Bazilikën e Shën Palit në Romë, ora 19.30 (hyrja pa biletë)

Më 4 shtator: Shenjtërimi në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan

Më 5 shtator: Meshë falënderimi në bazilikën Shën Pjetrit në Vatikan

Të dashur, i lutemi Zotit që duke kremtuar kanonizimin e Nënë Terezës, mbi të gjitha ta përjetojmë edhe përshpirtërisht.

Imzot Angelo Massafra OFM

Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult

Presidenti i KISh

Imzot Gjergj Frendo OP

Adminstrator Dioqezan i Tiranë-Durrës

Sekretar i Përgjithshëm i KISh








All the contents on this site are copyrighted ©.