2016-08-23 16:31:00

Falënderimi i Papës Kishës Polake pas DBR-së


Mirënjohje për pritjen e përzemërt gjatë DBR-së dhe gëzimi për kujtimin e Gjon Palit II. Këto, ndjenjat e shprehura nga Papa, pak javë pas DBR-së së Rinisë, në dy mesazhe, datuar 3 gusht e drejtuar imzotit Stanisaw Gądecki, kryetar i Konferencës ipeshkvore polake dhe kardinalit Dziwisz, kryeipeshkëv i Krakovit.

Shpresë e pamposhtur

“U preka thellë nga forca e fesë suaj, nga shpresa e pamposhtur, që e keni ruajtur, pavarësisht nga vështirësitë dhe tragjeditë, si dhe nga  dashuria e krishterë, që e frymëzon udhën tuaj njerëzore e kristiane” - i shkruan Françesku imzot Stanisaw Gądeckit, duke rikujtuar takimet me Kishën polake: “Ruaj një kujtim të thellë, të dashur - vijon - nga kremtimi solemn eukaristik në Shenjtëroren e Çestokovës, në 1050-vjetorin e Pagëzimit të Polonisë, ashtu si dhe nga ndalesa thellësisht prekëse në kampin e përqendrimit të Auschwitz. Mbushem plot me gëzim duke kujtuar, pastaj, takimet me të rinjtë e ardhur nga kombe të ndryshme”.

Dashuria për Gjon Palin II

Edhe në mesazhin drejtuar kardinalit Dziwisz, kryeipeshkëv i Krakovit. Ati i Shenjtë kujton entuziazmin e fesë të turmës së pafundme të të rinjve, ardhur nga të pesë kontinentet e i falënderon nga zemra ata, që punuan për suksesin e kësaj feste të madhe të rinisë, festë feje e lutjeje. Papa shpreh, pastaj, mirënjohjen për dashurinë që tregoi Polonia ndaj pasardhësit të Pjetrit; “E gjithë kjo - kometon - është shenjë dashurie për Kishën, në hullinë e dashurisë së paharrueshme e të devoçme ndaj Shën Gjon Palit II”. Françesku e inkurajon Kishën polake të vijojë ecjen në rrugën e dëshmisë së Mëshirës hyjnore e lutet që të rinjtë t’i jetojnë me bindje gjithnjë më të thella mësimet e Ungjillit, duke i siguruar se lutet për të gjithë e duke u kërkuar, në përfundim: “Edhe ju lutuni për mua!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.