2016-08-22 14:08:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”- “Këshilla e fundme” (19)


Emisioni i 19-të i rubrikës “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”, marrë, në prag të shenjtërimit të Saj, nga libri “Njoha një shenjtore” i kardinalit Angelo Komastri, titullohet “Këshilla e fundme”. Na çon në zemrën e misionit të Nënë Terezës. Tek të varfrit më të varfër, duke na kujtuar se fillimi e fundi i jetës së Nënë Terezës, janë të varfrit: e në të varfrit, është Jezusi.

Po e rikujtojmë sot këshillën e fundit, që u dha simotrave të saj:

“Kongregata jonë do të zgjasë aq, sa të zgjasë në të vafëria e vërtetë. Institucionet në të cilat praktikohet besnikërisht varfëria, nuk kanë pse t’i tuten perëndimit. Nuk do të perëndojnë kurrë, po vijuan të ecin me të njëjtin hap. Duhet të ndjehemi shumë fatlume, që na u krijuan mundësitë ta jetojmë këtë varfëri të mrekullueshme.

Shën Françesku, kur mori vesh se ishte ndërtuar një shtëpi e pasur për fretërit e tij, nuk pranoi as t’i shkelte në prag… ne nuk duhet ta humbasim kohën duke u përpjekur për ta bërë shtëpinë tonë të bukur, të rehatshme, tërheqëse. Zoti na çliroftë nga kuvendet e pasura, të mobiluara, të bukura, ku të varfërit ngurrojnë të hyjnë, nga frika se mund të ndotin dyshemetë e lustruara a mund t’i çnderojnë të zonjat e shtëpisë, me zhelet e tyre.

Kur vishemi, duhet ta kemi të qartë kuptimin e secilës pjesë të veshjes sonë:

- sari, me buzën e kaltër, ka kuptimin e modestisë së Virgjërës:

- rripi prej litari, kuptimin e pastrisë

- sandalet flasin e  tregojnë se e kemi zgjedhur lirisht rrugën tonë;

- Kryqi është simbol i dashurisë.

Kjo rrugë, që zgjodhi Nënë Tereza, mbetet mesazh i jashtëzakonshëm për të gjithë, sepse është përplot me aromën e këndshme të Ungjillit, aromën  e kashtës së grazhdit, erëmirën e Betlehemit.  E jo vetëm.

Nënë Tereza, ashtu siç pati bërë në kohë të vet Françesku i Asizit, na përsëriti mësimin se Ungjilli mund të jetohet pikë për pikë. Sepse është i bukur. Është burim i një gëzimi të pafundmë".

A nuk ka ardhur çasti të bëjmë edhe ne një hap, të paktën një, në këtë drejtim?








All the contents on this site are copyrighted ©.