2016-08-22 00:00:00

Në Benin, shtegtimi tradicional i të rinjve të Tezesë


“Së bashku, në kërkim të udhëve të shpresës” - është tema e “Shtegtimit të besimit mbi tokë”, takim tradicional, organizuar nga Bashkësia e Tezesë, në program në Cotonou të Beninit, nga 30 gushti, deri më 4 shtator. Ngjarja - shpjegon L’Osservatore Romano - u kushtohet mijëra të rinjve të Afrikës  perëndimore. Parashikohet edhe pjesëmarrja e Vëllait Alois, epror i bashkësisë ekumenike.

Në kërkim të udhëve të solidaritetit

Synimet e para të takimit të madh - shpjegojnë organizatorët - do të jenë “të kremtohet Krishti, si burim paqeje e bashkimi” dhe “të shikohet Kisha,  si tharm i bashkimit të familjes njerëzore”, në kërkimin e përbashkët të udhëve të solidaritetit. Ky takim  - shtojnë - synon t’i ndihmojë të rinjtë në udhën e tyre shpirtërore. Është inkurajim për ta thelluar besimin në Zotin, në vete e në të tjerët. E edhe ftesë për të qenë të vëmendshëm  ndaj shenjave të shpresës përreth e për të marrë mbi vete përgjegjësinë që të bëhen tharm i paqes dhe i besimit në Kishën e në shoqërinë.

Të rinjtë janë mysafirë të famullive

Shtegtimi do të krijojë mundësitë edhe për të jetuar së bashku, për t’u lutur, për të kënduar, për të heshtur, për të dëshmuar, për t’u përcjellë përvojën e fesë njerëzve me kultura të ndryshme e për të njohur nga afër jetën e të krishterëve të Cotonou-s. Sipas programit ditor, do të ketë një kohë për lutjen e përbashkët, paradite në famulli e pasdite, në një vend  të vetëm qendror. Mikpritja do të jetë një nga aspektet themelore, ndërsa pjesëmarrësit, mysafirë të famullive dhe të bashkësive vendase.








All the contents on this site are copyrighted ©.