2016-08-21 12:00:00

“Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”- “Pengesa nga të katër anët”


“Pengesa nga të katër anët” titullohet emisioni i 18-të i rubrikës “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”, marrë, në prag të shenjtërimit të Saj, nga libri “Njoha një shenjtore” i kardinalit Angelo Komastri. Në emisionin e kaluar u ndamë nga Tereza, duke e lënë në çastin e vendimit të madh: “Të dilte nga kuvendi e t’i ndihmonte të varfërit, duke jetuar si e varfër ndërmjet tyre”.

Po kjo nuk ishte aspak e lehtë. U ndodh para pengesave të të gjitha llojeve. Kryeipeshkvi i Kalkutës, në fillim, nuk deshi as t’ia përmendte kush këtë vendim të motrës shqiptare. Vetëm pasi drejtoresha e Shkollës vijoi të ngulte këmbë, deri në bezdi, e këshilloi t’i shkruante një letër Papës.1

E dokumentojnë Arkivat e Vatikanit, ku ruhet edhe sot e kësaj dite një dosje e zverdhur nga koha me numrin 330/48 e me shënimin “Dioqeza e Kalkutës”. Brenda dosjes ruhen tri fletë të shkruara me dorë, nisur nga Kalkuta më 7 shkurt 1948, drejtuar prefektit të Kongregatës për Rregulltarët.

Këto letra të zverdhura ruajnë sekretin e jetës së Nënë Terezës. Ajo shkruan kështu: “ … kërkoj të më jepet leja t’u shërbej indianëve të varfër, duke jetuar si ata. Prandaj është e pamundur të mbetem në institutin, ku hyra në tetor 1928 e ku bëra edhe kushtet e  para. Me sinqeritet të plotë besoj se nuk kam asnjë meritë të veçantë. Mbetet për mua mister si e pse ma bën Zoti këtë thirrje. Gjatë gjithë viteve, që kalova në institut, kam qenë gjithnjë e lumtur e plot gëzim. Prandaj i lë me dhimbje në zemër Motrat e Loretos, por nuk mund të rri më mes tyre. Duhet ta bëj këtë hap, në emër të Zotit, që më kërkon ta ndryshoj jetën time plotësisht. Dua të bëj vullnetin e Tij me çdo kusht e të mbledh rreth vetes edhe shpirtra të tjerë, që, ashtu si unë, janë gati t’i kërkojnë të varfërit.

Në Indi jetojnë miliona të varfër në kushte të neveritshme, larg hirit të Zotit e të Krishtit. Jam një murgeshë e vogël e nuk di të shprehem bukur. Kërkoj vetëm ndihmën tuaj, që të mund t’i përgjigjem thirrjes sime”.

Jeta e Nënë Terezës në këtë pikë – e kjo është më se e qartë – nuk ndjek më logjikën njerëzore, por një thirrje, që i vjen nga lart: ndokush mund të mos e besojë, ndokujt tjetër mund t’i duket e çuditshme, e tepruar, kjo kërkesë e nuk mund ta kuptojë logjikën e saj, por nuk mund as të përpiqet ta lexojë jetën e Nënë Terezës sipas logjikës së vet. Mrekullia, që quhet “Nënë Tereza”, lindi nga një zë, që e thirri. Zëri i Jezusit!

Tregon ajo vetë: “Më 1946, kur isha duke udhëtuar me tren drejt Darjeelingut, ku po shkoja për të bërë ushtrimet shpirtërore, ndjeva thirrjen të lija gjithçka e ta ndiqja Jezusin në lagjet e të varfërve, për t’u shërbyer të varfërve më të varfër. Nësa i lutesha në heshtje Zotit tonë, e kuptova  se Zoti dëshironte diçka nga unë. E dëgjova fare qartë zërin e tij që më thërriste përsëri, me një thirrje këmbëngulëse, thirrje brënda thirrjes[…]. Kisha nevojë për një strehë, ku t’i mblidhja njerëzit e braktisur. Nisa ta kërkoj… Eca e eca e eca, derisa nuk munda më. Atëherë e kuptova më së miri sa lodhen e këputen të varfërit, gjithnjë në kërkim të një kafshate buke, të një ilaçi, të gjithçkaje, që duhet për ta mbajtur gjallë jetën.

Kujtova sigurinë materiale që gëzoja në kuvend, e nisa të tundohesha. Atëherë iu luta Zotit me këto fjalë, që më zjenin në zemër:

“Jo, nuk kthehem dalë!

Bashkësia ime janë të varfërit.

Siguria e  tyre, është siguria ime.

Shëndeti i tyre, shëndeti im.

Streha ime është streha e të varfërve:

jo e të varfërve, por e atyre,

që ndërmjet të varfërve, janë më të mjerët.

Atyre, të cilëve njerëzit kanë ndot edhe t’u afrohen

se s’mund t’ua durojnë zdralen e trupit, duhmën e sëmundjeve,

të mikrobeve, të insekteve

që ua thithin pikën e fundit të gjakut

trupit të tyre të plagosur.

Atyre, që nuk shkojnë të luten,

sepse nuk mund të dalin nga shtëpia lakuriq!

Që nuk hanë më,

sepse nuk kanë forcë as të hanë.

Që këputen rrugëve,

për të mos u ngritur kurrë më,

nësa pranë tyre kalojnë të gjallët,

pa e marrë mundimin as ta kthejnë kokën

për t’i parë në grahmën e tyre të fundit!

Atyre, që nuk qajnë më

sepse u janë tharë lotët.

Atyre që janë të paprekshëm

sepse po t’i prekësh, ndotesh

e nuk të quajnë më njeri.

Zoti më do këtu, ku jam.

Ai vetë do të ma tregojë rrugën!”.

 

1C. Feldmann, Madre Teresa, Vita e messaggio, Queriniana, Brescia 1998, fq. 17-20








All the contents on this site are copyrighted ©.