2016-08-21 12:00:00

Fundjava e Papës, Kishës, botës


Veprimtaritë kulmore të javës, si zakonisht, edhe në këto ditë të nxehta gushti, ishin audienca e përgjithshme dhe lutja e sotme e Engjëllit të Tënzot.

Sot Papa u kujtoi besimtarëve të shumtë, mbledhur si zakonisht në Sheshin e Shën Pjetrit, se për t’u shëlbuar nuk mjafton t’i përkasësh Kishës, ashtu si nuk mjaftonte të ishe anëtar i popullit të Izraelit, për të shijuar shëlbimin. Të jesh i krishterë nuk është rit magjik, që të garanton shëlbimin; shëlbimi fitohet vetëm përmes takimit me Krishtin, duke marrë pjesë në misterin e Pashkëve të vdekjes e të ringjalljes, që e kremtojmë çdo të diel në Eukaristi, qendër e fesë sonë. Portë e ngushtë ajo, nëpër të cilën duhet të kalojmë për t’u shëlbuar. Na e kujtojnë fjalët e Shën Agostinit: “Ai që të krijoi pa ty, nuk të shëlbon, pa ty!”.

Nga audienca e përgjithme e së mërkurës, për t’u kujtuar posaçërisht porositë e Papës: “Krishti e bën çdo besimtar ‘shërbëtor të Mëshirës hyjnore’ dhe ‘Zoti i ndihmon gjithnjë njerëzit në nevojë, por dëshiron ta bëjë secilin nga ne konkretisht pjesëmarrës në mëshirën e dhembshurinë e Tij’”. 

E, nga takimet papnore të javës, kujtojmë atë të së enjtes së kaluar, me presidentin francez François Hollande: “Të gjithë francezët treguan se janë shumë të ndjeshëm ndaj fesë katolike e se Franca, përtej feve të shumta që praktikohen në vend, deshi të shprehë gjithë simpatinë e mundshme ndaj veprimtarisë së Papës. Kur vritet një klerik, dhunohet vetë Republika, që kujdeset për të gjitha kultet”, theksoi Presidenti francez.

Një dikaster i ri i Selisë së Shenjtë

Duhet kujtuar edhe se Françesku themeloi dikasterin për laikët, familjen e jetën. Duke nisur nga 1 shtatori, organizmit të ri - miratuar ad experimentum nga Papa më 4 qershor - do t’i kalojnë kompetencat dhe funksionet, që deri tani i përkisnin Këshillave Papnore për laikët e për familjen. Vendimi u mor me Letrën apostolike në formë motuproprio Sedula Mater, datuar 15 gusht.

Teksti u botua të mërkurë, më 17 gusht, njëherësh me emërimin e prefektit të ri të dikasterit, të cilin Françesku ia besoi amerikanit Kevin Joseph Farrell, që nga 2007-ta, në krye të dioqezë së Dallas.

Papa emëroi imzot Vincenzo Paglian, kryetar të Akademisë Papnore për jetën, që vepron në lidhje me dikasterin e ri – si dhe Kancelar i madh i Institutit Papnor Gjon Pali II për studime mbi martesën e familjen - duke ia besuar detyrën  e drejtorit, imzot Pierangelo Sequieri-t.

Romë: Pranë qendrës Salesianum, në Romë, filluan sot e do të vijojnë  deri më 25 gusht, punimet e Asamblesë së përgjithshme të Konferencës botërore të Instituteve Shekullare (Cmis). Dy, temat, në qendër të vëmendjes: “Formimi i anëtarëve të Instituteve shekullare dhe identiteti i përkushtimit të vetë Instituteve”. Marrin pjesë 140 delegatë, përfaqësues të 25 vendeve, nga të pesë kontinentet. Punimet e takimit të madh i hapi kardinali Joao Braz de Aviz, prefekt i Kongregatës për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, që nesër do të kryesojë edhe kremtimin eukaristik në Qendrën Salesianum.

Torino: sot e deri më 26 gusht, në Torre Pellice, mbahet Sinodi vjetor i Kishave metodiste valdeze. Ndërmjet temave në rendin e ditës, emigracioni, 500- vjetori i Reformës dhe udha ekumenike.

Indi: u mbajt sot edicioni i tretë i Justice Sunday (e Diela e Drejtësisë). Kremtimi, që nisi që më 1983, organizohet nga Komisioni Drejtësi,  Paqe e Zhvillim i Konferncës ipeshkvnore indiane. Kremtohet në të dielën pas 15 gushtit, festa e pavarësisë së vendit, me synimin që t’i bëjë njerëzit më të ndjeshëm ndaj nevojave të shoqërisë, duke iu përgjigjur kështu më mirë kërkesave të drejtësisë.

Rimini: Nisi më 21 gusht e do të përfundojë më 25 të muajit në vijim, Mitingu i 37-të i Lëvizjes “Bashkim e Çlirim”, kushtuar sivjet temës: “Ti je pasuria ime”.Titull ky, që përkon plotësisht me këtë udhë, nisur më 1980. E përkon edhe me Vitin Jubilar të Mëshirës. Mëshira, siç na  e kujton Papa, është udha që bashkon Zotin me njeriun, sepse e nxit ta shikojë me sy të sinqertë vëllain, që e takon në udhën e jetës. Në Miting po flitet për krizën e shoqërisë, mikpritjen dhe solidaritetin, takimin me tjetrin në një mënyrë të re e tema të tjera aktuale.

Ekspozitë kushtuar Nënë Terezës

Kujtojmë se pjesëmarrësit në Miting mund të sodisin edhe një ekspozitë kushtuar Nënë Terezes, me rastin e shenjtërimit të saj, më 4 shtator, në Sheshin e Shën Pjetrit. Në ekspozitë janë vendosur disa nga reliket e Murgeshës, sende që i përkisnin e që ruhen në Rimini. E edhe takimi përfundimtar i Mitingut do t’i kushtohet pikërisht Nënë Terezës.   Organizohet nga Marina Ricci, gazetarja që u mor edhe me ekspozitën, së bashku me Atin Postulator dhe një nga brazilianët,  shëruar mrekullisht me ndërmjetësimin e së Lumes Nënë Terezë.

Kujtojmë se Mitingu për miqësinë ndërmjet popujve organizohet nga Lëvizja kishtare “Bashkim e Çlirim”, është takim reflektimi e ballafaqimi rreth temave kulturore, fetare, politike, artistike, realizuar përmes një sërë konferencash, debatesh, ekspozitash, ngjarjesh muzikore, letrare, sportive. Mbahet çdo vit,  që nga  1980-ta- në,  javën e mesgushtit.

Dje, në Francë, u përkujtua 76-vjetori i themelimit të Bashkësisë së Tezesë. Është bashkësi e krishterë murgare ekumenike ndërkombëtare, themeluar më 1940 nga Roger Schutz, që njihet më mirë me emrin Vëllai Roger. Synon të hapë rrugët, që çojnë në bashkimin e të krishterëve, përmes bashkimit të të rinjve. Prej këndej nisi me atë, që u quajt “Koncili i të rinjve”, shpallur në Pashkët e vitit 1970. Që asokohe mijëra të rinj.edhe shqiptarë, mblidhen nga e në të katër anët, për ta shndërruar së bashku botën, duke jetuar me frymën e bashkimit, bazuar kryesisht në lutje.

Shumëkush e shikon këtë lëvizje si një nga aventurat më të mëdha të shekullit. Sepse kyçi i frymës së Tezesë është pajtimi e solidariteti njerëzor, larg ëndërrimeve për duartrokitje të bujshme, që shuhen pa lënë gjurmë. U propozon të rinjve ta jetojnë jetën murgare në bashkim të plotë me botën dhe problemet e saj, pa qenë të botës, duke qenë në botë e duke u marrë me ankthet e problemet e saj, me lutje e me punë.

Brazil: Sot në Rio de Zhanejro, u zhvillua ceremonia e mbylljes së Lojërave Olimpike. Kujtojmë se Papa Françesku i shkroi një letër të shkurtër, por shumë të përzemërt, skuadrës së refugjatëve, që mori pjesë në Olimpiadë dhe e uroi, përmes një tweet-i: “Jini gjithnjë lajmëtarë të vëllazërisë e të shpirtit të vërtetë sportiv”.  

 Pastaj, edhe përmes një letre vërtet prekëse: “Të dashur vëllezër! Uroj,   që “Guximi dhe forca juaj shpirtërore të shprehen përmes Lojërave Olimpike, si britmë vëllazërie e paqeje. E që, përmes ju të gjithëve, njerëzimi ta kuptojë se paqja mund të sigurohet!

Dje ishte festa liturgjike  e Shën Bernardit, Abat e Doktor i Kishës

Zgjodhëm disa nga fjalët e urta të Shenjtit të madh të cilat, sipas një shprehjeje që e përdor gjithnjë Papa, do të na bëjnë mirë, po t’i kujtojmë gjatë gjithë javës:

“Vetëm njeriu i sëmurë, mund të ketë mëshirë të vërtetë për një të sëmurë tjetër. Kështu të krishterët, duke u nisur nga vuajtjet e tyre, mësohen të jenë të dhembshur edhe me të tjerët”.

“Gjithë koha kur nuk mendon për Zotin, është kohë e humbur!”.

“Do të gjesh më shumë dije ndër pyje, sesa ndër libra. Drurët e shkëmbijtë të mësojnë sende, që nuk i di asnjë mësues në botë”.

“Vetëm Jezusi është mjalt për gojën, këngë për veshin, gazmend për zemrën”.








All the contents on this site are copyrighted ©.