2016-08-21 15:15:00

Françesku lutet për viktimat e atentatit në Turqi


Arriti në 50 numri i të vdekurve e 94, i të plagosurve të një atentati, ndodhur dje, gjatë një dasme, në Turqi. Papa e kujtoi këtë sulm, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, duke shprehur dhimbjen dhe solidaritetin për njerëzit e goditur nga kjo tragjedi e re:

“Të dashur vëllezër e motra, mora lajmin e trishtuar të atentatit gjakatar, që goditi dje Turqinë e dashur. Lutemi për viktimat, për të vdekurit e të plagosurit, e kërkojmë dhuratën e paqes për të gjithë”.

Lutje për viktimat e për dhuratën e paqes në mbarë vendin: kështu deshi t’i kujtojë Françesku të vdekurit e të plagosurit e atentatit terroristik në Gaziantep, qytet i Turqisë me shumicë kurde, jo larg kufirit me Sirinë. Gjatë kontrolleve në vend, u gjet një rrip shpërthyes: domethënë ishte një kamikaze që, duke u ngatërruar ndërmjet dasmorëve,  u hodh në erë me një shpërthim aq të potershëm, sa u dëgjua në të gjithë qytetin, me një milion e gjysëm banorë. Shpërthimi e shkatërroi krejtësisht sallën, ku zhvillohej festa, në të cilën merrnin pjesë shumë njerëz me etni kurde, duke përfshirë fëmijë, gra e pleq. Ndërmjet të plagosurve, edhe dhëndri e nusja, të cilët kishin ikur kohë më parë nga një fshat kurd, pikërisht për të shpëtuar nga shpërthimet. Dhëndri - sipas njoftimit të Bbc - është anëtar i partisë filokurde. Policia, gjithnjë sipas njoftimeve, është në kërkim të dy njerëzve, që e shoqëruan atentatorin e që u larguan menjëherë pas shpërthimit.

Atentat me vulë xhihadiste, edhe ky që, sipas njoftimit të qeverisë turke, nuk është pranuar akoma nga Shteti i vetëshpallur Islamik. Në të vërtetë Turqia jugore, e jo vetëm, është marrë në shënjestër disa herë nga militantët e Isis, e po ashtu, edhe nga separatistët kurdë të Pkk. Prandaj nuk është e vetmja zonë, ku ka goditur terrorizmi islamik. Në korrikun e kaluar, 44 vetë vdiqën gjatë një sulmi mbi aeroportin e Stambollit, ndërsa rreth 40 ishin viktima në Ankara, në mars.

“Terroristët nuk mund ta mposhtin Turqinë e nuk do të fitojnë” . Kështu u shpreh sot paradite presidenti turk Erdogan, në një mesazh drejtuar Kombit  pas atentatit të Gaziantep. Në komunikatën e rastit, presidenti nënvizon edhe se nuk ka ndryshim ndërmjet ndjekësve të Gülen, Pkk e Is. Vendi ynë nuk mund të mos u përsërisë një mesazh të vetëm terroristëve: do t’ju mundim”. Ndërkaq edhe përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, i shprehu solidaritetin Turqisë, duke premtuar se Evropa do të jetë përkrah popullit turk në luftën kundër terrorizmit. Sulmin në Turqi e dënoi edhe presidenti rus Putin. 








All the contents on this site are copyrighted ©.