2016-08-18 09:00:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: “të përbujmë shtegtarët”, sipas Besëlidhjes së Re


Vijojmë edhe sot të reflektojmë për veprën e mëshirës “të përbujmë shtegtarët”, ashtu siç paraqitet në Besëlidhjen e Re, kur Krishti e shtrin atë jo vetëm mbi Izraelin, por mbi gjithë njerëzimin.

Në Besëlidhjen e Re, Jezusi pritet ose refuzohet, njihet e mohohet, që nga çasti i zënies e deri në varrosjen e tij. Maria pranon ta mbajë Jezusin në kraharor për vepër të Shpirtit Shenjt. Në çastin e lindjes, nuk ka vend për të në bujtinë, por mirëpritet në grazhdin e barinjve. Më pas, do të jetë mik e i ftuar për Levin, Martën e Marinë, për Zakeun, por shumë të tjerë as që duan ta njohin. Edhe i vdekur, zë vendin e një tjetri varr, atë të Jozefit të Arimatesë, që ia dhuron varrin mikut për të përmbushur kështu një vepër tjetër mëshire: atë të varrosjes së të vdekurve (shih Gjn 19,38).

Me ringjalljen e tij, Jezu Krishti i rilidh fijet e mikpritjes së Zotit për njeriun, duke ia rihapur portat e Kopshtit të Edenit. Shenjë e kësaj është fakti se pas ringjalljes, kur takon dishepujt në Emaus, sapo e njohin, pra sapo e mirëpresin, tregon menjëherë mikpritjen hyjnore, duke i ftuar në banketin e tij.

Mikpritja pra, në sajë të Krishtit, kthehet në trashëgimi gjenetike, jo vetëm të Izraelit, por të gjithë njerëzimit. Ajo është e rëndësishme si për atë, që e jep, ashtu edhe për atë, që e merr. Mikpritja duhet të jetë e ekzagjeruar, si lumi që përmbyt fushat; duhet të rrjedhë, por jo të mbarojë; duhet të jepet falas, pa pritur asgjë në këmbim. Mikpritja përbëhet nga gjeste të vogla, të përditshme: që nga përgatitja e gjellës, tek pastrimi i shtëpisë, tek puna, tek përjetimi i festës dhe i ditës gjatë javës, tek “humbja e kohës” për tjetrin, duke i ndryshuar planet për hir të tij e për t’iu përgjigjur thellësisht nevojave të tij.

Me një fjalë, të mirëpresësh të mjeruarin në zemrën tënde, do të thotë ta bësh objekt të dashurisë, t’ia mbushësh vetminë, të gjesh kohë për të, ta dëgjosh, të ndash me të historinë personale e ta lejosh ta ndjejë veten si në shtëpinë e vet, edhe kur del nga shtëpia jonë. Të lum do të jenë ata, që kur dëgjojnë të trokasin në derë, do të jenë gati ta hapin gjithmonë. Mund të gjejnë të Zotin e vërtetë të shtëpisë, që kthehet, e atëherë do të përmbysen marrëdhëniet e Ai vetë do t’u shërbejë në tryezë: “Ja, para derës qëndroj dhe trokas: kush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, do të hyj te ai dhe me të do ha darkë dhe ai me mua” (Zb 3,20).








All the contents on this site are copyrighted ©.