2016-08-17 12:59:00

“Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”- “Duaje jetën, ashtu si të vijë”


Faqet e librit “Njoha një shenjtore”, shkruar nga kardinali Angelo Komastri, që e zgjodhëm në prag të shenjtërimit të Nënë Terezës, na ofrojnë sot, në emisionin e 15-të të Rubrikës kushtuar Nënës së të varfërve, një ftesë, që tingëllon gati si urdhër për çdo njeri: “Duaje jetën!”. E këtë ftesë të Nënë Terezës e rikujtojmë pikërisht sot, në përvjetorin e ditës kur Motra e re e bamirësisë veshi, për herë të parë, sarin e bardhë me vijën e blu anash, për të hyrë në botën e të varfërve, të cilëve iu kushtua deri në vdekje. Ishte data 17 gusht 1948. 68-vjet më parë…

Duaje jetën ashtu si të vijë!

(Përkthim i lirë)

Duaje fort jetën tënde, ashtu si të vijë papritë

Duaje plotësisht, mos rri - i ngrysur ditë për ditë.

Duaje kur ka shumë dritë, dhe kur i humb kuptimi,

E duaje fort edhe, kur të ndjek përpas mohimi.

Duaje, kur të lënë vetëm, e ndoshta të poshtërojnë,

E duaje kur si mbret, të gjithë ty të lartojnë.

Duaje dhe kur të vjedhin e t’i lënë duart e thata,

E duaje kur të duan e të mbushin me dhurata.

Duaje kur të flakojnë në shtigje t’errëta të natës,

Por dhe kur zemra, pezull, i qëndron fort shtrëngatës.

Kur s’shikon sy njeriu për javë edhe për muaj,

E sidomos kur ëmbël të lëmon një dorë e huaj!

Duaje kur nuk ka më, aspak  kuptim kjo botë,

Por dhe kur është e hijshme, e mirë e kuptimplotë.

Duaje kur je i lum, duaje kur je i mjerë,

Duaje kur je i fortë e edhe i ligshtë përherë.

Duaje kur ke shumë frikë, edhe kur ke guxim

Duaje si kur të dridh, si kur të mbush me gëzim

Duaje për kënaqësi të  vogla e edhe për të mëdha,

Duaje, kur të bën të qeshësh e kur të bën hata.

Duaje, pse dashuria të jep kuptim e shpresë,

E në fund  vetëm ajo mes nesh gjithnjë do të mbesë,

Kur të nisemi nga viset e mrazta të murrizit,

ka për ta hapur gonxhen në kopshtet e Parrizit! 








All the contents on this site are copyrighted ©.