2016-08-17 14:34:00

Papa Françesku: zemra e krishterë di të rrahë me mëshirë


Në qendër të vëmendjes në katekizimin e audiencës së sotme të përgjithshme të Papa Françeskut, mbajtur në Sallën  e Palit VI, në Vatikan, detyra e dishepujve të Jezusit, që duhet të jenë në shërbim të jetës e të bashkimit, duke pasur një zemër që di të preket përballë nevojave njerëzore. Përmes reflektimit për mrekullinë e shumëzimit të bukëve, Papa preku temën e mëshirës si mjet bashkimi. E, përmes saj, reflektoi për frikën e njeriut nga vetmia, dëshirën për t’u mbështetur mbi një forcë, që nuk të braktis në çastin e provës, kujdesin për bukën që mban gjallë korpin e shpirtin, besimin se vetëm Zoti nuk e lë kurrë vetëm njeriun në nevojë, por ia shumon bukën ndër duar, me bekimin e Tij. Pikërisht mbas këtij bekimi, 5 bukët e 2 peshqit shtohen aq, sa t’ia shuajnë urinë një turme të tërë.

Jezusi ka mëshirë për turmën

Papa e rikujtoi hollësisht rrëfimin e Mateut (khr Mt 14,13-21) duke nisur nga çasti kur Jezusit i arrin mandata për vdekjen e Shën Gjon Pagëzuesit e, me një barkë, kapërcen liqenin, në kërkim të një vendi të shkretë, diku mënjanë. Për t’u lutur, vetëm! Po njerëzit e kuptojnë dhe arrijnë para Tij në këmbë. E atëhere Krishti, kur zbret nga barka dhe e shikon turmën e madhe, në pritje të padurueshme, ka mëshirë për të. Kështu Papa i rikthehet temës jubilare të mëshirës, duke kujtuar se Jezusi nuk e dëbon turmën, nuk fshihet për të gëzuar një çast lutjeje të heshtur por, duke bërë vullnetin e Atit, ndalet, ngushëllon e shëron shumë të sëmurë.

Turma i beson Jezusit

Çka të çudit më tepër në këtë takim - kujtoi Papa - është vendosmëria e njerëzve, që kanë frikë nga braktisja, druhen nga vetmia, tremben përballë fatit të panjohur. Si vdiq Gjoni, profeti karizmatik - shpjegoi Papa - turma i beson Jezusit, për të cilin vetë Gjoni pati thënë: “Ai, që vjen pas meje, është më i fortë se unë” (Mt 3-11). Kështu turma e ndjek pas kudo. Dëshiron ta dëgjojë. T’i lëshojë te këmbët e Tij të sëmurët. E duke e parë këtë, Jezusi nuk mund të mos preket thellë. Nga njëra anë, ai e ndjen veten të lidhur me këtë turmë e nuk do që të shpërndahet, nga ana tjetër, ka nevojë për çaste vetmie, për të biseduar me Atin.

Zoti dëshiron të jetë përherë pranë nesh, për të na shpëtuar

Po duke parë sytë e turmës, në pritje të përgjëruar - vijoi të reflektojë Françesku - vendos t’u kushtojë shumë kohë edhe njerëzve. E mëshira e tij nuk është ndjenjë e vagëlluar. Mëshira e Zotit tregon gjithë forcën dhe vullnetin e Tij për të qenë gjithnjë pranë nesh e për të na shpëtuar.

Por bie muzgu e Jezusi shqetësohet edhe për ushqimin e turmës. Janë shumë. Të lodhur. Të uritur. E kjo lodhje e uri të kujton manën, që Zoti u pati reshur izraelitëve në shkretëtirë. Kështu edhe Jezusi kujdeset për t’ua shuar urinë atyre, që e ndjekin pas. E këtu Papa kujtoi se këtë e bën duke aktivizuar dishepujt e vet. Prej këndej u thotë: “Jepjuni ju të hanë!”. Urdhër ky, në dukje, i pazbatueshëm. Pesë bukë e dy peshq për mijëra njerëz të lodhur e të uritur! Të duket krejt e pamundur. Po Krishti dëshmon se pak bukë, e edhe më pak peshq, me forcën e fesë e të lutjes, mund të ndahen e t’ua shuajnë urinë gjithë turmave. Kështu “Jezusi i theu bukët e ua dha dishepujve e dishepujt turmës”. E ata e panë - kujtoi Papa - se Zoti  është gjithnjë pranë nevojtarëve, por dëshiron ta bëjë secilin nga ne pjesëmarrës në dhembshurinë e Tij.

Korpi i flijuar e gjaku i derdhur i Jezusit i japin trajtë identitetit të çdo të krishteri

Më pas Françesku u ndalua tek gjesti i bekimit të Jezusit, që mori pesë bukët e dy peshqit, çoi sytë kah qielli, i bekoi, e theu bukën dhe ua dha atyre. Bëri.: “të njëjtat shenja, që i kemi parë në Darkën e Mbrame, e të njëjtat, që i bën çdo meshtar, kur kremton Meshën Shenjte. Bashkësia e krishterë lind e rilind vazhdimisht nga ky bashkim eukaristik. Korpi i flijuar e gjaku i derdhur i Jezusit i japin trajtë identitetit të çdo të krishteri e të çdo bashkësie”.

Buka eukaristike, që na shujton, është bukë bashkimi e njëkohësisht bukë, që e forcon shërbimin tonë, kujtoi Papa. Por, vijoi: “Ta jetosh bashkimin me Krishtin nuk do të thotë të jesh pasiv, larg jetës së përditshme, përkundrazi, duhet të lidhesh gjithnjë më shumë me burrat e gratë e kohës sonë, për t’u çuar Jezusin”.

Eukaristia na shndërron edhe ne në korp të Krishtit

Ndërsa na ushqen me Zotin, Eukaristia, që kremtojmë, na shndërron pak nga pak edhe ne në korp të Krishtit e në ushqim shpirtëror për vëllezërit. Jezusi dëshiron t’i takojë të gjithë - shtoi Ati i Shenjtë - për t’ua çuar të gjithëve dashurinë e Zotit. Prandaj e bën çdo besimtar shërbëtor të mëshirës.

Në shërbim të jetës e të bashkimit

Në përfundim, Papa kujtoi se rrëfimi mbi shumëzimin e bukëve e të peshqve mbyllet me mrekullimin e madh të turmës, së cilës jo vetëm i del ushqimi, por edhe i tepron:  “Jezusi u krijoi dishepujve të vet mundësinë ta zbatojnë urdhërin e Tij. E kështu ata kuptuan cila është rruga, që duhet ndjekur: t’ia shuajnë urinë popullit e ta mbajnë bashkë; të jenë në shërbim të jetës e të bashkimit”.

Prej këndej, lutja e Papës drejtuar Zotit që ta bëjë gjithnjë Kishën të aftë për këtë shërbim të shenjtë e që, secili nga ne, të jetë mjet bashkimi në familjen e vet, në punë, në famulli e në grupet përkatëse e edhe shenjë e dukshme e mëshirës së Zotit, që nuk dëshiron ta lërë askënd në vetmi e në nevojë; e të zbresin, kështu, bashkimi e paqja ndërmjet gjithë njerëzve e bashkimi i njerëzve me Zotin, sepse ky bashkim është jetë për të gjithë!








All the contents on this site are copyrighted ©.