2016-08-17 13:46:00

Imzot Massafra: Lumnimi i 38 martirëve do të kremtohet më 5 nëntor 2016 në Shkodër


Imzot Massafra: NJOFTIM ZYRTAR PËR DITËN E BEATIFIKIMIT TË “MARTIRËVE” të Kishë shqiptare.

Sot posa na erdhi në redaksinë e programit shqip të RV gazeta e kryedioqezës së Shkodër-Pultit “Fjala e Paqes”, qershor-korrik 2016. Në faqen 9 të kësaj gazete njihemi me njoftimin historik për Kishën dhe krishterimit ndër shqiptar: lajmërimin e ditës së kremtimit të Lumturimit të martirëve Imzot Vinçens Prennushit dhe 37 Shokëve të tjerë, që dhanë jetën për Krishtin e për Kombin, më 5 nëntor 2016 në Shkodër. Ja shkrimi i gazetës  “Fjala e Paqes”, qershor-korrik 2016.

Pas një kohe relativisht të gjatë, me një punë voluminoze dhe me angazhimin e palodhshëm për të arritur deri në përmbylljen e procesit kanonik, në njohjen dhe në pranimin zyrtar të dëshmisë flijuese për Fe dhe Atdhe, të Imzot Vinçens Prennushit dhe 37 Shokëve të tjerë martirë, erdhi momenti që tani solemnisht të shpallim datën historike të Ritit të Lumnimit e të Naltimit në altar të 38 bijve tanë.

Procesi dioqezan i filluar me 10 nëntor 2002 e mbyllur me 8 dhjetor 2010...u analizua nga ekspertet e Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Çështjen e Shenjtërve... dhe me dekretin që Papa Françesku firmosur me 26 prill 2016 u dekretua se mund të shpallen të Lumë.

Më në fund, me letrën që Ati Shenjtë, Papa Françesku na ka dërguar përmes Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, na konfirmon se data e Kremtimit do të jetë 5 NENTOR 2016. Vendi i kremtimit do të jetë: Sheshi i Katedrales së Shën Shtjefnit, Shkodër. Riti i Lumnimit do të udhëhiqet nga Prefekti për Çështjen e Shenjtërve, Eminenca e tij Kardinal Angelo Amato.

Me këtë shpallje, kemi plotësuar të gjitha detajet e nevojshme. Tashmë, na takon neve të përgatitemi për t'i nderuar me festën tonë të hareshme shpirtërore. Si Arqipeshëv që ka çuar përpara procesin e Martirëve, me ekipin e gjyqit kishtar që falënderoj, si Arqipeshkëv i Vendit ku do të kremtohet Mesha e Lumnimit dhe në emër të Konferencës Ipeshkëvnore të Shqipërisë, Ju bëj thirrje dhe ju nxis për të kremtuar sa më denjësisht këtë moment historik për Kishën dhe Kombin. Zoti Ju bekoftë!”

Shkodër, 12/07/2016

+ Angelo Massafra OFM

Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult

President i Konferencës Ipeshkëvnore të Shqipërisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.