2016-08-16 00:00:00

Sh’na Rroku francez, është edhe shirokas


Më 16 gusht kalendari Kishtar përkujton Shën Rrokun, shtegtar. Sapo të përmendet emri i Sh’na Rrokut, çdo besimtari katolik shqiptar do t’i shkojë menjëherë mendja tek fshati i vogël i peshkatarëve, që vendasit e quajnë “bishti i Shkodrës” e që vijon jetën e tij shumëshekullore nën hijen e Taraboshit e në brigjet e Liqenit homonim, më i madhi në Ballkan, gjithnjë nën mbrojtjen e Pajtorit të vet. Shenjti i mirënjohur lindi në Francë, në vitin 1348, për të jetuar në të katër anët e Evropës e për ta përfunduar shtegtimin mbi këtë tokë, si na e kujton kënga e shirokasve:

E n’ditë t’Gushtit gjashtëmbëdhetë
shpirti i Rrokut fluturoi
I lumi ti që gjete at’ jetë
e Parrizin me Tenzonë.

U nis për në shtëpinë e Atit, pasi shkeli, kudo shkelte murtaja, për të ndihmuar, për të shëruar, për të shëlbuar. Aq sa shirokasit besuan se kishte shkelur me të vërtetë edhe në fshatin peshkatar, sa herë që banorët i kishte kërcënuar murtaja, që bredh mes njerëzve me gjithfarë fytyrash, i shoqëruar gjithnjë nga qeni besnik.  Ashtu siç e shikojmë edhe sot e kësaj dite në Kishën, kushtuar nga shirokasit, përballë liqenit të kaltër, ku u rikthye edhe shtatorja e tij, pas epidemisë së madhe “të murtajës së kuqe”. Ashtu si iu rikthye edhe titulli i Pajtorit e, sidomos, procesioni tejet prekës, i shoqëruar hap pas hapi nga lutja e kënduar,  me refrenin, që përsëritet:

“Amanet Shenjti Shëna Rrok
lutju ti të Madhit Zot
që të ketë mëshirë për ne
e t’na mbajë me shejten Fé”.

Shumë shirokas janë larguar nga “bishti i Shkodrës”, por sot, si t’i thërriste Shenjti, rikthehen, me mallin për fshatin e të parëve e për procesionin mahnitës, që përshkon shtigjet e Taraboshit, mes blerimit e kaltërsisë, në viset  ku gojëdhëna na siguron se pati shkelur vetë Sh’na Rroku e pati bërë edhe mrekulli. 

E mrekullia më e madhe duhet të jetë ndërmjetësimi i Pajtorit para Zotit për këto njerëz, aq sa ai i Lumi i zgjodhi shumë prej tyre e nga peshkatarë krapi, që ishin, i bëri peshkatarë njerëzish, si Shën Pjetrin e dishepujt e tjerë të Krishtit. Kështu vëllezërit atë Anton (personalitet kulture) e atë Mark Harapi (përkthyes i Të Fejuemve të Manzonit), njëri frat françeskan e tjetri jezuit; vëllezërit Atë Viktor (filolog i madh) e imzot Gjergj Volaj (martir), njëri frat e tjetri prift e, mbi të gjithë, kardinalin Mikel Koliqi. Pastaj edhe të tjerë e të tjerë, ndërmjet të cilëve, Filip Shiroka, Ernest Koliqi e doktor Federik Shiroka.

Mrekulli e Sh’na Rrokut, kjo plejadë  fytyrash të ndritura. Që rikujtohen sa herë kujtohet Sh’na Rroku e me të, Shiroka, me aromën e mrekullueshme të mrinave e të sherbelës që shëron sëmundjet e frymëmarrjes, e erën e këndshme të qefullit pjekur në tjegull - gjella tipike e festës së Shenjtit  fisnik francez, që deshi të bëhej edhe shirokas. Sepse, me hirin e Zotit, për dashurinë e të cilit shkrinë jetën, shenjtorët mund të bëhen! Ashtu si mijëra shenjtorë pajtorë, që ia presin rrezikun Kontinenteve, kombeve, popujve e deri fshatrave më të humbura të botës, si Ars i Francës, për shembull.

Por kush dëshiron t’i njohë të gjitha hollësirat e festës së Sh’na Rrokut ndërmjet peshkatarëve, mund të shfletojë veprën e Gjush Sheldisë, që e përshkroi me shumë art e dashuri.








All the contents on this site are copyrighted ©.