2016-08-16 00:00:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”- “Nisja për mision”


Duke vijuar shfletimin e librit “Njoha një shenjtore”, shkruar nga kardinali Angelo Komastri, zgjedhur në atmosferën e përgatitjes për shenjtërimin e së Lumes Nënë Terezë, përshkruajmë sot nisjen e Anjeze Bojaxhisë për një rrugë të largët, shumë të largët. Pas pohimit të parë të madh, e shoqërojmë në nisjen drejt misionit.

“Më 25 shtator 1928, dita para nisjes, rruga Vlashka, ku ndodhej shtëpia e familjes Bojaxhiu, ishte plot me njerëz, ardhur për ta përshëndetur Anjezën e për ta uruar “me jetë e me nafakë”. Ndërmjet tyre, shumë të rinj e edhe shumë të varfër, që dëshironin të merrnin pjesë në këtë ngjarje të madhe për gjithë qytetin e vogël. Sepse vajzën, që po nisej, e donin fort jo vetëm familjarët, e miqtë, por edhe shumëkush, që kishte përfituar nga prania e saj.

Në famulli, e madje në të gjithë Shkupin, atë ditë nuk flitej për gjë tjetër, veçse për nisjen e Anjezes drejt viseve, që as emrin nuk ua kishin dëgjuar.  Shpaloseshin hartat gjeografike për të parë ku binte India. Por nuk ishte vetëm largësia, që i shqetësonte njerëzit. Kryesorja ishte ndryshimi i thellë ndërmjet shqiptarëve e indianëve, kulturës së tyre e kulturës së atij vendi krejt të largët e tejet të panjohur. Të gjithë kishin mbetur pa mend nga guximi i Anjezes që, pa i mbushur mirë të tetëmbëdhjetat, po niste një udhë, që shumëkush e shikonte si tejet të thepisur. Anjeza ishte vajzë krejt e jashtëzakonshme për shoqërinë e asokohshme shqiptare. Madje edhe për të sotmen.

Një turmë e madhe familjarësh, miqsh e dashamirësh e përcollën tek stacioni i trenit, që nisej për Zagreb, kryeqytet i Kroacisë. Shkruante në ditarin e tij i kushëriri, Lorenci:

“Në stacion qanin të gjithë, e edhe ajo, ndonëse qe betuar të mos qante. Edhe mua gati më shpëtuan lotët, duke menduar se po humbisja një kushërirë e një mike kaq të mirë. Në çastin e ndarjes, ajo ma shtrëngoi fort dorën. Ia ktheva shtrëngimin, duke e përmbajtur veten, që të mos ia shtoja tronditjen e natyrshme të çastit të ndarjes. Treni u nis. Ne të gjithë tundnim shamitë në shenjë përshëndetjeje. E edhe ajo vijoi të na përshëndesë me dorë, derisa dora e vogël, që do të bënte aq të mira në botën e madhe, u zhduk. Më mbeti në kujtesë  e ndriçuar nga rrezet e diellit; dukej si hëna që dalëngadalë humbet në dritën e ditës, derisa bëhet një pikë, gjithnjë më e vogël… e zhduket krejt”.

E ëma, vigane e fesë, nësa po nisej, i tha: “Shko, veç mos harro kurrë se duhet t’i përkasësh vetëm Jezusit…e të jesh murgeshë shenjte… Shtrëngoja fort dorën Jezusit e shko e sigurt përpara, pa e kthyer kurrë më kokën pas. Shko e mos u shqetëso për mua. Do të mendojë Zoti për ty e për mua!”.

Nënë e bijë nuk do të shiheshin kurrë më mbi këtë tokë. Tereza, që ishte bërë e famshme në mbarë botën, do të përpiqej disa herë të hynte në Shqipëri e ta takonte përsëri nënën, po regjimi ateist i Enver Hoxhës ia përplasi portat në fytyrë. Për atë, që i kishte të gjitha portat e botës të hapura në dy kapakët, porta e Shqipërisë, ku banonte e ëma me të motrën, mbeti e mbyllur. E megjithatë, ajo nuk e mohoi kurrë, vendin që e mohonte për ditë!

Pas përpjekjes së fundit për t’iu afruar kufirit nga ana e Jugosllavisë, Nënë Tereza pohoi: “Merret vesht! Do të shihemi në Parriz”.

E shtrëngoi fort Rruzaren shenjte, që kishte në dorë, e ndoshta iu duk se po shtrëngonte dorën e nënës. E cila gjithashtu po shtrëngonte atë ças Rruzaren, matanë atij kufiri, ku edhe Rruzarja ishte e ndaluar e mund të shtrëngohej vetëm  fshehurazi!

Kështu fitojnë shenjtorët!








All the contents on this site are copyrighted ©.