2016-08-16 12:18:00

Presidenti Hollande për vizitë private te Papa të mërkurën


Papa Françesku do të pres në Vatikan nesër pasdite Presidentin francez François Hollande. Është një vizitë private. Kështu pohoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Greg Burke, duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Sipas mediave franceze kjo vizitë lidhet me indinjatën e shprehur nga Papa Bergoglio për mbytjen e atë Hamel, priftit francez 86 vjeç, nga dy terroristë të rinj, ndërsa kremtonte Meshën, më 26 korrikun e kaluar në Kishën famullitare të Saint Etienne du Rouvray, në Normandi.

Hollande “do të shkojë në Romë të mërkurën më 17 gusht. Do të pritet në audiencë private nga Papa Françesku në Vatikan”, bëri të ditur Elizeu në një njoftim të shkurtër. Sipas së përditshmes katolike franceze La Croix, Presidenti francez para audiencës papnore do të vizitojë Kishën kombëtare franceze në Romë, Shën Luigji i francezëve, dy hapa larg sheshin të njohur romak Navona, për një moment lutjeje e nderimi në përkujtim të viktimave të terrorizmit, e në mënyrë të veçantë të atë Hamel. E pastaj do të shkojë në audiencën private te Papa. Me të do të jenë ministri i Brendshëm Benard Cazeneuve, ambasadori pranë Selisë së Shenjtë Philippe Zeller, këshilltari diplomatik Jacques Odibert e kreu i protokollit Frederic Biller. Pas takimit me Papa Françeskun, Hollande e shpura do të priten nga kardinal Sekretar i Shtetit të Selisë së Shenjtë Pietro Parolin në Pallatin Apostolik.

Kujtojmë se presidenti socialist francez qe pritur në audiencë nga Papa edhe një herë tjetër më 24 janar 2014.








All the contents on this site are copyrighted ©.