2016-08-16 17:10:00

Kosovë: Pullë Postare për “Shenjtërimin e Nënë Terezës”


Me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës, Kosova ka promovuar një Pullë Postare kushtuar pikërisht bijës e nënës së popullit shqiptar, krenarisë së kombit, Ganxhe Bojaxhiut. Kosova, Dardania e lashtë, vendlindja e prindërve të Nënë Terezës, e ndjen dhe vlerëson në një mënyrë të veçantë kanonizimin e Shenjtës shqiptare. Po më hollësisht nga Prishtina të ndjekim shërbimin e Rabie Ibrajt...

Republika e Kosovës po i gëzohet Shenjtërimit te bijës dhe nenës së tyre, krenarisë së kombit, Nënës Terezë. Pas ndërtimit të Kishës Katedrale në Prishtinë, fal nismës së presidentit historik, Ibrahim Rugovës dhe Imzot Mark Sopit, populli i Kosovës pa dallim, edhe pak dite do ta këtë edhe te Shenjtën e kombit për ndërmjetësim tek Zoti, Shën Nena Terezë.  

Për ta nderuar këtë ngjarje te papërsëritshme, Qeveria e Kosovës me 15 janar e ka shpallur, 2016-tën Viti i Nënës Terezë në Kosovë. Atë ditë në mbledhjen e Qeverise, kryeministri Isa Mustafa pat thënë se këtë vit te Shenjtërimit të Nënës Terezë do ta shfrytëzojmë për afirmimin e humanizmit, te mirëkuptimit, te  ndihmës, te raporteve të mira e korrekte të paqes dhe dinjitetit në Kosovë. Muaj me vone Qeveria e Kosovës ndau edhe mjete buxhetore në vlerë prej 300 mijë eurove për ta ndihmuar koncertin kushtuar “Himnit te Nënës Terezë” që do të shfaqet më 3 shtator në Romë, në bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, në prag të Shenjtërimit të saj. 

Ndërkaq, me 13 korrik 2016, Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën plenare  me votim unanim e pat miratuar propozimin e Kryesisë për shpalljen e 5 Shtatorit në Kosovë “Ditë e Bamirësisë – Nëna Terezë”.

Në vazhdim, në kuadër të aktiviteteve kushtuar Vitit të Nënës Terezë, më 16 gusht në Prishtine është promovuar Pulla Postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”Ne ketë rast solemn, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se është nder i veçantë që të respektohet figura e Nënës Terezë. “Mund të them se për Republikën e Kosovës e për gjithë qytetarët e saj është një nder i veçantë që ne të respektojmë një figurë të jashtëzakonshme dhe një humaniste globale siç ishte dhe është Nëna Terezë”, tha Mustafa.

Ndërkaq, drejtori i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, tha se institucioni që ai e drejton si mision të vetin e ka që t’i nderojë figurat kombëtare. “Ndjehem i privilegjuar qe, Filatelia e Postës së Kosovës nga sot pasurohet me këtë pullë postare që është edicion i jashtëzakonshëm dhe i kushtohet ngjarjes se jashtëzakonshme për kombin shqiptar siç është Shenjtërimi i Nënës Terezë. Një nga misionet tona është edhe promovimi i vlerave tona kombëtare, kështu që pulla postare për Nënë Terezën është përmbushje e këtij misioni”, tha ai.

Kontributi i Nënës Terezë i tejkalon kontributet e penës e të shpatës që i kanë dhënë të gjitha figurat kombëtare shqiptare, tha me ketë rast, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. “Në të kaluarën ne si komb kemi dhënë shumë figura të penës e të shpatës. Figurat të cilat kanë ditur të japin kontribut në zhvillimin e njerëzimit dhe qytetërimit evropian dhe në udhëheqjen e perandorisë otomane, por figura e Nënës Terezë i tejkalon të gjithë dhe është shpërblim nga Zoti për të gjithë sakrificën që kombi e ka bërë në historinë e vet sepse Nëna Terezë është figura e shpirtit tonë dhe e zemrës bujare të shqiptarit, askush në histori nuk ka ditur ta shpalos zemrën bujare të popullit tonë si Nënë Tereza”, tha ai.

Pulla postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”, menjëherë pas promovimit fillojë të qarkullojë nëpër të gjitha vendet e botës.








All the contents on this site are copyrighted ©.