2016-08-15 14:20:00

Papa në festën e Zojës së Madhe: gratë të çlirohen nga dhuna e skllavëria


“Na jep ditë paqeje”: kjo lutja e sotme e Papës në Engjëllin e Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit ne Vatikan. Ju drejtua me zjarr Zojës, Mbretëreshë e Paqes, në ditën kur Kisha kremton pikërisht të Ngjiturit e saj në Qiell.

Sot, tha Papa Françesku në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, kundrojmë shën Marinë, në udhën e saj drejt Jeruzalemit qiellor, për të parë më në fund fytyrën e Atit e të Birit të vet, Jezusit. Sot, pas shumë mundimesh, që e çuan deri në Kalvarin e Birit të saj, e shohim Zojën të “veshur me diell, me hënën nën këmbë, në kokë kezën me dymbëdhjetë yje” (Zb 12,1) të kapërcejë pragun e atdheut qiellor. Maria, kujtoi Papa, ishte e para, që besoi në Birin e Zotit dhe e para ndër ne, që u pranua në qiell me korp e shpirt:

“E para që priti dhe mori në krahë Jezusin, kur ishte akoma fëmijë dhe e para, që u prit në krahët e Tij për të hyrë në Mbretërinë e amshuar të Atit. Maria, kjo vajzë e përvuajtur dhe e thjeshtë, nga një fshat i humbur në periferinë e perandorisë romake, pikërisht sepse e pranoi dhe e jetoi Ungjillin, u pranua nga Zoti në amshim, përkrah të Birit. Është kjo mënyra me të cilën Hyji përmbys të pushtetshmit nga fronet dhe larton të përvuajturit (shih Lk 1,52)”.

Ngjitja e Zojës në Qiell, vijoi Ati i Shenjtë, është mister i madh, që na përket të gjithëve, sepse ka të bëjë me të ardhmen tonë. Vërtet, Maria na paraprin në udhën ku ecin të gjithë ata, që e kanë lidhur jetën me Jezu Krishtin përmes Pagëzimit, ashtu si Zoja e lidhi me Të jetën e vet:

“Festa e sotme na bën të shohim drejt qiellit, festa e sotme na paralajmëron ‘qiej të rinj e toka të reja’ me fitoren e Krishtit të ringjallur mbi vdekjen dhe mundjen përfundimtare të të keqit. Prandaj, ngazëllimi i vajzës së përvuajtur të Galilesë, shprehur në këngën e Madhërimit të Zotit, bëhet këngë e njerëzimit mbarë, që galdon kur sheh Hyjin të përkulet mbi gjithë burrat e gratë, krijesa të përvuajtura dhe, t’i marrë me vete në qiell. Zoti përkulet mbi të përvuajturit për t’i lartuar”.

Zoja e Bekuar, vërejti së fundi Papa, vuajti shumë në jetën e vet, ashtu si shumë gra sot, që kalojnë nëpër situata tepër të dhimbshme. Pikërisht tek ato shkoi mendimi i Atit të Shenjtë, i cili jo më larg se të premten, vizitoi shtëpinë “Papa Gjoni XXIII” në Romë, ku u takua me 20 vajza e gra, të shkëputura nga kthetrat e prostitucionit, ndërmjet të cilave edhe katër shqiptare. Të mendojmë, tha Françesku:

“…në veçanti, për ato gra të mposhtura nga pesha e jetës dhe nga drama e dhunës, për ato gra skllave të prepotencës së të pushtetshmëve, për ato vajza të detyruara të bëjnë punë çnjerëzore, për ato femra të shtrënguara t’i dorëzohen korp e shpirt lakmisë së burrave. Sa më shpejt, ardhtë për to fillimi i një jete në paqe, në drejtësi, në dashuri, në pritje të ditës, në të cilën, më në fund, do të ndjehen të mbajtura nga duar, që nuk i poshtërojnë, por me ëmbëlsi, i ngrenë dhe i udhëheqin drejt udhës së jetës deri në qiell… E t’i lutemi Zotit që Ai vetë t’i mbajë në duart e Tij në udhën e jetës e, t’i çlirojë nga këto skllavëri”.

E së fundi, urimet e festës:

  “U uroj festën e bukur të Zojës së Madhe të gjithë juve, këtu të pranishëm, por edhe atyre, që ndodhen në vende të ndryshme pushimi, si edhe të vetmuarve e atyre, që këtyre ditëve, sigurojnë shërbimet e domosdoshme për bashkësinë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.