2016-08-15 16:42:00

Kishat kushtuar Virgjërës Mari në trevat shqiptare


Kishat në trevat shqiptare kushtuar Virgjërës Mari. Gjatë gushtit Kisha katolike përkujton disa herë figurën e së Lumes Mari Virgjër, siç dëshmojnë festat për nder të Nënës Hyjnore, ajo e 15 gushtit dhe e 22 gushtit. E po kujtojmë se Shën Maria Virgjër ka qenë gjithnjë tejet e nderuar ndër shqiptarë. Kulti i nderimit të Zojës së Bekuar në trojet shqiptare mori hov njëherësh me kultin marian në Evropën perëndimore në kulmin e mesjetës. Prej 275 kishave, të regjistruara nga jezuiti Atë Fulvio Kordinjano S.J., 42 i kushtoheshin Shën Mërisë. Kishë kushtuar Zojës së Bekuar kishte në Ulqin, Shurdhah, Dejë, Drisht, Naraç, Hajmel e Rrenc (Shkodër); Fishtë, Troshan, Kalivaç e Lezhë (Lezhë); Mërtur (Pukë); Surroj (Kukës); Shpërdhazë, Malaj, Ndërshena, Ndërfana (Mirditë); Lurë, Çidhna (Dibër); Gur i Bardhë (Mat); Sebaste, Mbret (Laç); Kurcaj(Krujë); Kepi i Rodonit apo Bishti i Muzhlit (Durrës); Brar (Tiranë-shek XII), Skuterrë, Pëllumbas, Buçimas, Linzë (Tiranë) dhe Bishqem (Peqin).

Këtyre tempujve katolikë, kushtuar Zojës së Bekuar në trojet e Shqipërisë së sotme, i shtohet edhe një numër i madh Kishash dhe manastiresh ortodokse, të përhapura në të gjithë vendin. Ndërmjet tyre, Labova e Kryqit, në Gjirokastër (shek X); Manastiri i famshëm i Ardenicës në Apolloni (Lushnje) (shek. XIII); Kisha e Zojës në Voskopojë (shek XVIII); Manastiri i Shën Marenës në Mokër të Pogradecit, me shpellën e mrekullueshme, që i ngjet asaj të Lurdës (shek XVIII) e disa Kisha të tjera, njëlloj të lashta.

Mos të harrojmë Kosovën. Shenjtërorja kombëtare e shqiptarëve, ajo që ngrihet rrëzë Kështjellës Rozafa në Shkodër, i kushtohet Zojës së Këshillit të Mirë; ndërsa një shenjtërore tjetër, njëlloj e famshme, është Kisha e Zojës Crnagore, në fshatin Letnicë të Vitisë në Kosovë, ajo e Zojës Ndihmëtare në Prizren (konkatedrale) ajo e Zojës së Madhe në Zym të Hasit në komune të Prizrenit, Kisha e Zojës Rruzare në Bishtazhin të Gjakovës, Kisha e Zojës së Vogël në Bec të Gjakovës, Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë në Klinë e tjera e tjera. Po kështu duhet kujtuar Kisha kushtuar nderimit të Virgjërës Mari në kryedioqezën e Tivarit në Mal të Zi e në treva tjera shqiptare.

Ndërmjet shumë festave kushtuar Zojës së Bekuar, ajo që i bashkonte gjithë të krishterët shqiptarë në rrjedhë shekujsh ishte, pa dyshim, Festa më e madhe e fundit të verës, të Ngjiturit e Zojës së Bekuar në qiell (për të katolikët), Fjetja e Shën Mërisë (për ortodoksët), që kremtohej e kremtohet më datën 15 gusht. Prej këndej, ndër shqiptarë festa njihet edhe si Shën Mëria e Verës, Shën Mëria e Gushtit ose Shën Mëria e Madhe, në sa, më 4 dhjetor, festohet edhe Shën Maria e Dimrit.

Kalendari Julian e shënonte më 27 gusht, ai Gregorian, më 15. Ishte e mbetet festa e shtegtimeve në gjirin e natyrës. Sipas traditës, besimtarët e kremtonin me shtegtime të gjata, ngjiteshin në majat e bjeshkëve, ku dikur ngriheshin tempujt e paganizmit, kthyer në tempuj të krishterë, duke nisur nga Mali i Tomorrit; Mali i Gjallicës, pranë Kukësit; Maja e Shën Llezhdrit, afër Krujës; Maja e Kundrevicës, në Kurvelesh dhe ajo e Pashtrikut, në kufirin Shqipëri-Kosovë. Ja si i e përshkruan imzot Pjetër Bogdani kremtimin në Pashtrik, rreth viteve 1630-1689, duke theksuar edhe natyrën meditative të festës e të shtegtimeve, që kremtoheshin me këtë rast në kulmin e verës: “Ngjiten në maje dhe e kalojnë atje gjithë natën, me uratë, kangë e valle të përshpirtshme. Mbas mesnate nis procesioni, në të cilin marrin pjesë të krishtênë e myslimanë, me qira të ndezun. Gjatësia e qirit përkon me moshën e atij, që e mban në dorë. Kështu, me qira ndezë, zdathë, shtegtarët ecin kah majet ma të nalta për tri orë rresht. Vetëm myslimanët ngjiten kaluer...”

Në Shqipërinë e Mesme, gratë që nuk kishin fëmijë, shtegtonin kah bregdeti i Kavajës e i Durrësit. Laheshin në det e luteshin. Ky shtegtim, që bënin gratë, me shpresën se Nëna e Krishtit do të ndërmjetësonte për to e do t’u falte dhantinë e foshnjeve, aq të dëshiruara, vijoi fshehurazi edhe në kohën e persekutimit të madh nën thundrën e diktaturës.

Në Seltë, krahinë e Shpatit, në Shqipërinë e Mesme, për festën e Shën Mërisë së gushtit flijohej një lopë. Këto e zakone të tjera, të shoqëruara me Meshë solemne, procesione, meditime e lutje në gjirin e natyrës, mbeten të gjalla edhe sot e kësaj dite në të gjithë botën e krishterë. Prandaj në kulmin e gushtit, kur vera përgatitet t’i lëshojë shtegun vjeshtës, qytetet e mëdha të botës perëndimore zbrazen e njerëzit dynden kah viset më të njohura për bukuri natyre: bregdetet, bjeshkët e vendet ku ngrihen tempuj të famshëm për kryevepra arti, ku pa dyshim, do të takohen edhe me Shën Mërinë!

Janë këto vetem disa nga  Kishat dhe Shenjtëroret kushtuar Virgjërës Mari në trevat shqiptare, po sigurisht ka edhe tjera për të cilat ne nuk  dimë a që nuk i kemi përmendur.








All the contents on this site are copyrighted ©.