2016-08-15 14:30:00

Kongo, masakër civilësh. Një misionar: luftë për ar e diamantë


Kryhet një masakër e re civilësh në Republikën Demokratike të Kongos: një grup njerëzish të armatosur vrau, pa asnjë dallim, burra, gra e fëmijë, pranë Beni, në Veri të Kivusë, në kufi me Ugandën.

Bilanci i sulmit është i rëndë: të paktën 50 të vdekur, po  viktimat mund të jenë më se njëqind. E pohon, në mikrofonet e Radio Vatikanit, një  rregulltar kombonian italian, misionar në zonë. Quhet atë Gaspare Di Vincenzo. Sipas autoriteteve të Kinshasës, masakra duhet të jetë kryer nga grupi islamist ugandez i Forcave demokratike aleate (ADF), por sipas misionarit, dëshmitarët i kanë dëgjuar agresorët duke folur në gjuhën lingala, gjuhë e ushtarëve kongolezë. Ati kombonian pohon se shkaktare të masakrave janë interesat që vërtiten rreth këtyre trojeve të pasura me naftë, diamante, ar, koltan, nikel  dhe denocon se këto masakra kanë për qëllim që popullsia të largohet, për t’i përvetësuar, kështu, më lehtë, pasuritë e vendit. Gjatë dy vjet sulmesh - pohon misionari - ushtarakët kongolezë dhe forcat e OKB-së, të pranishme në vend, nuk kanë bërë asgjë për t’i dhënë fund dhunës. Misionari bën thirrje, në Ditën e Solemnitetit të Zojës së Ngjitur në Qiell, që këto popullsi të mos harrohen nga bashkësia ndërkombëtare.

Kisha kongleze i ka denoncuar shumë herë interesat, që fshihen pas kësaj lufte, e cila nuk di të mbarojë. Më 20 marsin e kaluar u vra, në veri të Kivusë, rregulltari asuncionist kongolez Vincent Machozzi, që po përgatiste një dosje lidhur me masakrat. Atë Vinçenci  pati thënë haptazi se nuk kishte frikë të bënte thirrje e t’i padiste fajtorët e vërtetë të kësaj situate kaq tragjike. 








All the contents on this site are copyrighted ©.