2016-08-14 08:30:00

Maria e ngjitur në qiell, në odet e Paraklisis


Quhen Paraklisis, odet e liturgjisë bizantine, kushtuar Zojës së Ngjitur në Qiell, nga  murgu Teosteriku, që vijojnë ta shoqërojnë në shekuj liturgjinë bizantine të Solemnitetit.

Zojës i këndohet, në lidhje të pazgjidhshme me misterin e Fjalës së mishëruar, misterin e Birit të saj. E këtë e vërejmë menjëherë përmes titujve, me të cilët thirret Maria: “Nëna e Zotit, e Papërlyer, Nënë e Fjalës së Mishëruar; Virgjër e Nënë e Hyjit”: tituj këto, të gjithë të lidhur me amësinë e saj hyjnore; por edhe tituj të tjerë, lidhur me funksionin e saj. me vendin e misterin e shpërblimit: “Ndërmjtësuese e pushtetshme, fortesë e pathyeshme, gurrë e mëshirës, strehë e botës, shkak i gëzimit tonë, burim i papërlyer, kullë e sigurisë, portë e pendesës…”.

Marinë, Nënën e Zotit, murgu këngëtar e sheh gjithnjë pranë Fjalës së mishëruar: Maria, Nënë e Zotit, është përherë pranë misterit të Kishës e misterit të njeriut. Gjatë nëntë odeve të Paraklisis, dëgjojmë zërin e njeriut të pushtuar nga ankthi, të shtypur nën barrën e rëndë të botës e të shpirtit të vet; njeriun e pastrehë, që strehën e sigurt e gjen vetëm tek Nëna e Zotit, tek paqëtuesja, çliruesja, përmes Krishtit, në misterin e Krishtit. Dëgjojmë zërin e trazuar, të përhumbur të njeriut, i cili lëkundet nga dallgët e Maria e shoqëron në portin e jetës, që është Jezu Krishti… Shikojmë njeriun përballë mëshirës hyjnore, përmes Nënës Zotit; njeriun galdues, përmes Asaj që Lindi gëzimin e botës: Krishtin. Ky njeri shëlbohet nga Zoti përmes mishërimit të  Fjalës, në kraharorin e papërlyer të  Marisë!

Kjo, thënë me dy fjalë, përmbajtja e odeve Paraklisis, kënduar Nënës së Zotit!








All the contents on this site are copyrighted ©.