2016-08-12 11:13:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”. “Ku ëshë nëna, aty është shtëpia”


Përsëri për nënën, flet emisioni i tetë i rubrikës “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”, marrë nga libri “Njoha një shenjtore” i kardinalit Angelo Komastri, zgjedhur në atmosferën e përgatitjes për shenjtërimin e së Lumes. Titullohet: “Ku ëshë nëna, aty është shtëpia”.    

Kujtoj një hollësi, që nuk duhet harruar, thoshte gjithnjë Nënë Tereza – tregon kardinali Komastri. - Nëna e kishte gjithnjë në dorë Rruzaren Shenjte. Në periudhën e errët të persekutimit kundër Kishës në Shqipëri, Rruzarja ishte buka e saj e përditshme. Ndonëse regjimi i tmerrshëm ateist i Enver Hoxhës e ndalonte çdo shprehje fetare: Mesha ishte e ndaluar, të ndaluara, të gjitha simbolet e jashtme të fesë… derisa u shemb edhe kryqi i fundit.

Po Nëna Drandja që, bashkë me Agin, jetonte në Tiranë, u lidh edhe më shumë me Rruzaren Shenjte: ishte arma e saj, me të mbrohej, ajo e ngushëllonte.

Prandaj Nënë Tereza e donte fort Rruzaren e, kudo shkonte, paraqitej me të në dorë: lidhte, kështu, fenë e saj, me atë të s’ëmës.

Përsëriste pambarimisht: “Nëse e bëjmë të hyjë lutja në familje, familja do të bashkohet gjithnjë më shumë. Mblidhuni për t’u lutur së bashku, qoftë edhe vetëm për pesë minuta, e nga lutja do të lindë forca e dashuria do të mbetet gjithnjë e freskët”.

Sa të vërteta, këto fjalë!

Nënë Tereza, bijë e një familjeje, që lutej, na e dorëzon këtë porosi, duke vënë buzën në gaz, si gjithmonë. E na rikujton edhe rolin vendimtar  e të pazëvendësueshëm të nënës.

E fuqishme, thirrja që Nënë Tereza ua drejtonte me gjithë zemër e me zë të dredhur nga emocioni, të gjitha nënave të sotme, të cilat shpesh nuk e kuptojnë si duhet misionin e tyre.

Thoshte Nënë Tereza: “Shtëpia është atje, ku është nëna! Kujtojeni mirë: shtëpia është, ku është nëna”. E provon ngjarja, që po ju tregoj: - Një herë gjeta një fëmijë të braktisur në mes të rrugës. E mora me vete në shtëpinë tonë, e lava,  e vesha me rroba të pastra…i dhashë të hajë. Por të nesërmen iku. Dikush e gjeti përsëri në rrugë, pas nja dy ditësh. Por ai iku prapë. Atëherë u thashë motrave:  - Ndiqeni këtë fëmijë, ju lutem. Njëra jush t’i rrijë afër, për ta parë ku shkon! E fëmija iku për herë të tretë. U gjet larg barakave, nën një pemë. Pse shkonte aty? Sepse nën pemë ishte nëna e tij. Nëna kishte vënë dy gurë nën një tavë prej dheu e po gatuante diçka, që e kishte gjetur në pleh.  Motra e pyeti fëmijën:

- Pse ikën nga shtëpia?  

E ai: - Shtëpia ime është këtu, sepse këtu është nëna ime.

Nëna ishte aty, prej këndej, aty, edhe shtëpia. Nën atë strehë, ushqimi i gjetur në plehrat, i dukej i mirë, sepse e gatuante dora e nënës. Murgeshat mbetën të mrekulluara nga kjo skenë: nëna e ledhatonte fëmijën, nëna e kërkonte e edhe fëmija e kërkonte nënën e vet. E aty, nën pemë, me gjellën e plehut, ishin të lum.

A e morët vesh kush është nëna?

Kuptuat ç’i mungon fëmijës?

Ç’e’do mallë e ç’e do gjënë, kur s’ke nënë për të qenë! Ç’e do shtëpinë e katandinë, kur të mungon dashuria e nënës e dora e fortë e babait! Ç’e do nënën e veshur me sqimë, kur nuk ka zemër nëne e as kohë për të qenë nënë! Fëmija indian, që ikte nga shtëpia për të jetuar nën pemë e që hante gjellën e gjetur në pleh, ishte më i lum se fëmijët e shumëkujt, sepse kishte një nënë të vërtetë: nënë, me zemër nëne.

Thua mund të quhet nënë… një nënë, pa zemër nëne!








All the contents on this site are copyrighted ©.