2016-08-11 09:00:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: “të përbujmë shtegtarët”


Kalojmë sot në një vepër të re mëshire, pas asaj, që na çoi në mënyrat e në kuptimet e “veshjes së të zhveshurve”. Fillojmë të shqyrtojmë “përbujtjen e shtegtarëve”. “Mos e lini pas dore mikpritjen, sepse me anë të saj, disa, pa ditur, pritën miq engjëjt!”, thotë Letra drejtuar Hebrenjve (13,2).

         Duke vënë në praktikë fenë e tij, besimtari mirëpret të huajin, ashtu si Zoti e mirëpret në botë, duke i dhënë jetën e, në mëshirën e Tij pa fund, edhe shëlbimin e amshuar. Në zanafillë, Hyji e bëri mikpritëse gjithçka ishte pa formë dhe e shkretë, kaosin, “tohu wabohu”, për të pritur si duhej njeriun e krijuar sipas ngjashmërisë dhe shembëllimit me Të e për ta lënë të jetojë në Kopshtin e Edenit. Komentari rabinik nënvizon se Hyji e ka krijuar botën në funksion të njeriut, pavarësisht se ai u krijua i fundit. Kjo u bë me qëllim që njeriu ta gjente gjithçka gati. Hyji është i zoti i shtëpisë, i cili, pas përgatit pjata të shijshme e pasi shtron tryezën, e shoqëron mikun në vendin e vet. Por njeriu, në lirinë e tij, mëkatoi dhe u dëbua nga Parrizi Tokësor, prandaj, që nga ai çast, u bë i huaj për këtë dhe.

         Vërtet, Abrahami e quan veten të huaj e kalimtar e, nëse shqyrtohet Shkrimi Shenjt, vërehet se i huaj është pikërisht Izraeli, që e ka këtë në genet e tij. Kur Izraeli kujton historinë e vet, gjatë periudhës së Pashkëve, pohon që në fillim: “Im atë ishte një sirian endacak” (Lp 26,5). Izraeli e provon gjendjen e të huajit sidomos në Egjipt, ku jeton për një kohë të gjatë, në skllavëri, nën faraonin. Falë kësaj përvoje të vështirë, lind mirësia ndaj të huajit: “Mos e nëpërkëmbni të ardhurin, sepse e njihni jetën e ardhacakut; edhe ju keni qenë ardhacakë në dheun e Egjiptit” (Dal 23,9).

         Zoti e dëgjon britmën, që ngrihet nga shtypja e Izraelit, i cili trajtohet si i huaj në Egjipt dhe vendos drejtësinë, duke e çliruar nga skllavëria. Si rrjedhojë, për të qenë shenjt, Izraelit i duhet të mbajë të njëjtat qëndrime të Zotit Hyj. Në Librin e Ligjit të Përtërirë, Zoti i kërkon ta dojë pa kushte të huajin: “Kini edhe ju dashuri për të ardhurin” (Lp 10,19). Zbatimi i këtij urdhërimi, është përgjigjja e Izraelit për dashurinë e mëshirshme të Zotit. Kështu, kur Izraeli arrin në Tokën e Premtuar, akti i bekimit në çastin e ofertës së prodhimeve të para të tokës, kthehet në çast të ndarjes së tyre me nevojtarët dhe të huajt.

         Ja pra, se si kujdesi për shtegtarët bëhet pjesë përbërëse e jetës, qoftë kur këta janë të huaj, qoftë kur janë miq, të afërt apo të ftuar. Mikpritja bëhet një ritual i vërtetë, që dallohet nga përqafimi e puthja e tjetrit, sidomos kur ai është i afërt, nga larja e këmbëve, nga ftesa në tryezë për të ngrënë, nga kujdesi për të ushqyer kalin e mikut, nga përgatitja e shtrojeve dhe e mbulojeve për natën, deri në shoqërimin jashtë territorit, nga ku shtegtari riniset për udhëtim. Kjo është mikpritja e Shkrimit Shenjt, që shprehet mirë nga lutja e Davidit lartuar Zotit: “Shtegtarë jemi para Teje e ardhacakë, si etërit tanë” (1 Kr 29,15).

         Ja pse, në traditën hebraike, mikpritja, “hachnasat orchim”, vishet me një aspekt të rëndësishëm. Pikërisht për këtë, në Talmund thuhet se “Është më e madhe vepra e mikpritjes së endacakëve se sa pranimi i Shekinah(prania hyjnore)” e më tej: “shtëpia jote qoftë e hapur dy kanatësh e të varfërit qofshin anëtarë të shtëpisë tënde” (Aboth 1,5). Tregohet edhe se Jobi: “bëri katër dyer në shtëpinë e vet, në mënyrë që të varfërit të mos e kishin problem e t’i binin rrotull për të gjetur hyrjen” (ARN, VII).

         Sot, në shumë familje hebraike, gostia e së shtunës dhe e festave nuk është e plotë, nëse nuk marrin pjesë në të të ftuar të jashtëm. Shumë sinagoga kanë një komitet, që i kushtohet “hachnasat orchim”, mikpritjes. Detyra e tij është të sigurohet se asnjë shtegtar nuk hyn në sinagogë pa qenë më parë i ftuar në shtëpinë e ndokujt për të ngrënë.








All the contents on this site are copyrighted ©.