2016-08-11 14:27:00

Papa inkurajon të rinjtë e krishterë për dialog


Dje, në përfundim të audiencës së përgjithshme, duke cituar La Pirën, Papa i inkurajoi të rinjtë e krishterë të dialogojnë, me bindjen se të trija fetë abramitike: hebraizmi, krishterimi dhe islami, mund të jetojnë së bashku. Fjalën e Atit të Shenjtë e ndiqnin 120 të rinj të të trija feve, të cilët  treguan, në këtë takim, përvojën e tyre të dialogut e të miqësisë, që po e jetojnë në fshatin “La Vela”, në Castiglione della Pescaia, me rastin e kampit ndërkombëtar organizuar nga vepra Giorgio La Pira. E Papa - shkruhet në gazetën vatikanase L’Osservatore Romano - i ftoi të rinjtë të angazhohen në politikë, ashtu si mëson La Pira, të sigurt se politika është forma më e lartë e bamirësisë, sipas një shprehjeje të Palit VI.

Pikërisht në frymën e kryebashkiakut shenjt, në audiencën e Papës ishin të pranishëm të rinj izraelitë të Qendrës Peres për paqen, pranë e pranë me të rinj palestinezë dhe me një delegacion të rinjsh myslimanë italianë, kryesuar nga hoxha i Firences, Izedin Elzir, kryetar i Bashkimit të bashkësive islamike të Italisë(Ucoii). Posaçërisht domethënëse edhe prania e një grupi studentësh rusë të Universitetit për marrëdhënie ndërkombëtare të Moskës (shkollë që përgatit diplomatët e ardhshëm), e disa të rinjve katolikë e ortodoskë, ardhur nga Shën Pjetërburgu si dhe e disa përfaqësuesve të bashkësisë katolike Verbum Dei të Moskës. Përveç studentëve toskanë, të pranishëm edhe angolezë, indonezianë, kongolezë e marokenë, me banin në Itali. Të gjithë së bashku, “nën çadrën e Abrahamit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.