2016-08-10 13:06:00

Sonte është Nata e yjeve të Shën Lorencit


Jemi më 10 gusht e shkojmë drejt natës më të këndshme të verës,  natës së Shën Lorencit. Madje netëve, sepse sivjet yjet do të reshen tri netë me radhë. Netë yjesh, netë dëshirash romantike,  edhe pse nata e parë të kujton një nga torturat më mizore ushtruar mbi martirët e krishterë: pjekjen mbi skarë.

Historia

Historia na flet për fundin tragjik të një diakoni, Lorencit, që qe caktuar të ruante thesarin, të cilin Kisha romake e përdorte për të ndihmuar të varfërit. Ishte koha e Valerianit perandor, kur e kapën. Data 10 gusht e vitit 258. Donin thesarin,  jo diakonin.  Po ai u tregoi me gisht të varfërit e u tha një të vërtetë të madhe, tejet aktuale edhe sot: “Ja, ky është thesari i Kishës”.  Prandaj e munduan me mundimin më të zgjatur, më të keqin, sepse më të ngadalshmin: pjekjen në skarë. Me shpresë se më në fund do të fliste. Po ai, shakaxhi i madh, nga skara e skuqur u tha persekutuesve të tij: “Më ktheni nga ana e majtë, se nga e djathta u poqa”.  Është Pajtor i diakonëve, kuzhinerëve, zjarrfikësve (që aso kohe nuk mundën ta shuanin zjarrin mbi të cilin piqej).

Legjenda

Që aso kohe, sipas legjendës, Lorenci qan sa herë shikon tokën e lotët e tij bien nga lart në trajtën e yjeve të arta, që këputen nga kupa blu e qiellit të gushtit. Legjenda i quan meteorët e 10 gushtit “Lotët e Shën Lorencit”, duke kujtuar fundin e martirit. E tregon se Lorenci, kur i erdhi fundi, i fali fajtorët e mbeti me sy të hapur fort, që shprehnin atë dhimbje, të cilën zëri tashmë nuk mund ta shprehte. Sy pa lot, të tharë nga zjarri. Prandaj qan vit për vit  me lot yjesh, natën kur bota vijon ta kujtojë!

Poezia

E me të, kujton edhe poezinë e poetit të famshëm italian Giovanni Pascoli, titulluar “10 gushti”. Për poetin yjet që bien nga qielli, janë lotët e Shën Lorencit, që dëshpërohet kur shikon, nga lart, se bota vijon të sundohet nga e keqja. Shkruan Pascoli në fund të poezisë së tij pesimiste: “E ti, o Qiell,  prej lartësive të botëve tua të paqta (sepse s’e njohin të keqen e as dhimbjen, larg nga mjerimet njerëzore) e resh këtë atom të errët, në hapësirën pa fund, ku vijon të sundojë e Keqja!

Për të rinjtë

Për të rinjtë është nata romantike e dëshirave, çasti magjik i kalimit të meteorëve, që mund ta bëjnë realitet ëndrrën e atij çasti.

Për astronomët

Lotët e Shën Lorencit këto iskra të ndritshme që bien mbi tokën tonë, për astronomët janë meteorë, që duket se vijnë nga konstelacioni i Perseut. Janë si janë, janë pamja më e pritur e gjithë verës, që i shtyn njerëzit të bisedojnë me yjet e t’u tregojnë dëshirat më të fshehta, që nuk ia tregojnë askujt, veç qiellit!








All the contents on this site are copyrighted ©.