2016-08-10 16:18:00

Putin-Erdogan: Moska do të heqë sanksionet. Ankara pro gazsjellësit


Moska dhe Ankaraja duan të rivendosin marrëdhënie “normale”. Në përfundim të takimit të tyre të djeshëm në Shën Pjetërburg, presidenti rus Putin i shtrëngoi dorën publikisht presidentit turk Erdogan, për herë të parë jashtë shtetit, pas dështimit të puçit ushtarak në Turqi, në gjysmën e korrikut. Kreu i Kremlinit premtoi heqjen graduale të sanksioneve kundër Turqisë. Mëse 200 gazetarë e rreth 70 mjete komunikimi ndoqën takimin e dy liderëve në pallatin Konstantinovski të Stelnës, në portat e Shën Pjetërburgut.

         Rusia dhe Turqia do të bashkëpunojnë në luftën kundër terrorizmit, u tha në takim. Përsa i përket Sirisë, do të ketë një mbledhje të veçantë ndërmjet ministrave të jashtëm dhe shërbimeve sekrete të të dyja vendeve. Ndërkaq, Ankaraja është gati të furnizojë me gazin rus Evropën, duke dhënë kështu miratimin e saj për projektin e gazsjellësit Turkish Stream, ndërsa Moska mund të lejojë një ulje të lehtë çmimi për gazin e importuar nga Turqia, e cila e siguron atë, në masën 50%, pikërisht nga Rusia.

         Në vizionin e presidentit Putin, aleanca me Turqinë e Erdoganit luan rol thelbësor. Pas Krimesë dhe tensioneve me Sirinë, lideri i Kremlinit dëshiron ta nxjerrë Rusinë nga izolimi, duke e projektuar drejt një përmase të re ndërkombëtare. Është projekti, që shumë analistë e quajnë “Eurazia e madhe”. Bëhet fjalë për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Kaspikut, si alternativë ndaj pushtetit të pamasë amerikan dhe ndaj zhvillimit ekonomik kinez. Nuk është e rastit që takimi me Erdoganin u bë pak orë pas mbledhjes së parë ndërmjet Rusisë, Iranit dhe Azerbajxhanit, që u mbajt në Baku për të nënshkruar marrëveshje tregtare.

         E me tregun lidhet energjia. Në Baku, presidenti Putin u mor vesh për projektin e një korridori transporti ndërkombëtar aziatik, në kundërshtim me gazsjellësin Baku-Tbilisi-Ceyhan, të cilin e dëshiron Evropa për ta qenë më e pavarur nga gazi rus. Erdogani u shpreh në favor të projektit. Objektivi i Putinit është të bëjë presion mbi liderët evropianë që të miratojnë një gazsjellës tjetër, shumë më të rëndësishëm për Moskën, Nord Stream-2.








All the contents on this site are copyrighted ©.