2016-08-10 12:32:00

Françesku: mëshira duhet të kalojë nga zemra në duar


Papa e mbajti përsëri sot audiencën e përgjithshme, në Sallën e Palit VI, në Vatikan. Katekizmin ia kushtoi temës: “Ngushëllim për një nënë”, duke komentuar fragmentin ungjillor sipas Shën Lukës, mbi ringjalljen e të birit të vejushës së Nain.

Ringjallja e një djali të vetëm, një mrekulli vërtet e paparë, tejet e madhe. Por më e madhe akoma, dashuria e Jezusit, për një nënë të mbetur shkret. Jezusi që kapërcen portën e një qyteze e shtegtarë të panumërt, që kapërcejnë Portat e mëshirës, në mbarë botën, duke mbartur me vete jetën e vet, gëzimet, mundimet, shpresat. Këto, hollësirat që i komentoi sot Papa në audiencën e përgjithshme, duke u nisur nga një fragmet i Ungjillit sipas Shën Lukës. Këtu mëshira merr emrin e dhembshurisë së madhe për një grua të vejë, që niset për herë të dytë drejt varrezës, këtë herë për të kallur në dhe birin e vetëm, e zhytur në një dhimbje të pangushëllueshme. E pikërisht kjo dhimbje e një nëne qyqare e prek thellë Jezusin dhe shkakton mrekullinë më të madhe, atë të rikthimit të të vdekurit në jetë.

Duke e nisur rrëfimin e këtij episodi - kujtoi Papa - Ungjilltari zgjatet në përshkrimin e shumë hollësirave. Në portën e Nain takohen dy grupe të mëdha, që vijnë nga dy drejtime të kundërta e nuk kanë asgjë të përbashkët: Jezusi, i ndjekur nga dishepujt dhe nga një turmë e madhe, hyn në qytezë, ndërsa prej saj një grup tjetër del, duke ndjekur pas një të vdekur, që e shpien në varrezë. I prin e ëma e përhumbur në një re rrobash, që flasin për mort të rëndë. Tek porta, dy grupet takohen vetëm një çast, aq sa duhet për vijuar secili rrugën e vet. Por pikërisht në atë çast fluturak Shën Luka vëren ndjesitë e Jezusit, që ndalohet, e çik arkivolin e, i prekur thellë nga mëshira për këtë nënëshkretë, vendos ta përballojë vetë vdekjen, sy më sy:

“Gjatë këtij Jubileu, do të ishte mirë që, duke kapërcyer Portën Shenjte, Portën e mëshirës, shtegtarët ta kujtonin këtë episod të Ungjillit, ndodhur tek Porta e Nain. Kur Jezusi e pa këtë nënë që po i pikonin sytë nga lotët, ajo hyri në zemrën e Tij! Portën Shenjte secili e kapërcen duke mbartur me vete jetën e vet, me gëzimet, me vuajtjet, planet e dështimet, dyshimet e frikën, për t’ia paraqitur mëshirës së Zotit”.

Jemi të sigurt - vijoi Papa - se kur e kapërcejmë Portën Shenjte, Jezusi është pranë nesh, se do ta takojë secilin, për t’i drejtuar Fjalën e Tij ngushëlluese: “Mos qaj!”:

“Kjo është porta e takimit të dhimbjes me humanizmin e dhembshurinë e Zotit. Duke e kapërcyer këtë prag, ne kryejmë shtegtimin tonë brenda dhembshurisë së Zotit i cili, ashtu si djalit të vdekur, na përsërit të gjithëve: ‘Ty po të them: çohu!’”.

Fjala e pushtetshme e Jezusit mund të na ngrejë përsëri në këmbë e të kryejë edhe në ne kalimin nga vdekja, në jetë. Fjala e Tij na bën të rijetojmë - shtoi Papa – na jep shpresë, na i freskon zemrat e lodhura, na hap vizionin e botës e të jetës, që shkon përtej vuajtjes e vdekjes:

“Mbi Portën Shenjte është skalitur, për secilin nga ne, thesari i pashterrshëm i mëshirës së Zotit”.

Këtë u kujtoi Papa besimtarëve, për t’u rikthyer tek Portat e Nainit. Tek çasti kur Jezusi e ftoi të çohej nga arkivoli e i vdekuri u ngrit e nisi të flasë. E Ai ia kthei s’ëmës. E ajo e rigjeti të birin, që mendonte se e kishte humbur përgjithmonë.

Duke e marrë në krahë, nga krahët e Jezusit, ajo bëhet  përsëri nënë, po këtë herë i biri nuk e merr jetën prej saj. Nënë e bir marrin, secili, identitetin e vet falë fjalës së fuqishme të Zotit e gjestit të Tij plot me dashuri:

“Kështu, posaçërisht gjatë Jubileut, Kisha Nënë i pret bijtë e saj, duke parë në ta jetën e dhuruar nga hiri hyjnor. E falë këtij hiri, hirit të Pagëzimit, bëhet nënë, e secili, bir i saj”.

Kështu Krishti bëri një veprim, që nuk lidhet vetëm me vejushën e të birin. Gjesti i Zotit është shprehje e mirësisë së pafundme, e mëshirës për popullin e vet. Në të, para njerëzimit të mahnitur, duket - e do të vijojë të duket - i gjithë hiri hyjnor. Duke e kremtuar këtë Jubile, që desha të jetohej në të gjitha Kishat e veçanta, e jo vetëm në Romë - kujtoi Papa -  mbarë Kisha e shpërndarë në të katër anët e botës, duket si të ishte e bashkuar në një këngë të vetme lavdërimi drejtuar Zotit. Edhe sot Kisha e ndjen se  Zoti po e viziton:

“Prej këndej, duke u përudhë kah Porta e Mëshirës, secili e di se përudhet kah porta e zemrës së mëshirshme të Jezusit; është Ai, Porta e vërtetë, që çon në shëlbim e që na rikthen jetën e re. Mëshira, si në Jezusin, ashtu edhe në ne, është udhë, që niset nga zemra, për të arritur tek duart, tek veprat e mëshirës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.