2016-08-09 11:58:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”. “Jep ç’ke më të mirë”


Emisioni i 8-të i rubrikës, kushtuar “Nënë Terezës, Shenjte e Mëshirës Hyjnore” titullohet:  “Jep ç’ke më të mirë!”. Krijimi është shkëputur nga autobiografia e Nënë Terezës, hartuar duke lidhur së bashku poetikisht disa fraza të shkruara mbi murin e Shishu Bhava – shtëpia e fëmijëve - themeluar nga Nënë Tereza:

Njeriu është i pacipë,

Për vete mendon kudo.

Po ti duhet ta duash,

Edhe pse ai s’të do!

 

Po bëre mirë – të qortojnë,

Të thonë hir e pa hir

Se do të kënaqësh veten:

S’ka gjë, ti prap bëj mirë!

 

N’se planet synon t’realizosh,

Do të gjesh armiq të vërtetë;

S’ka gjë – ti rrugën vazhdo

E planet vëri në jetë!

 

E mira bie shpejt në harresë;

S’ka gjë – ti prap bëj  mirë!

Thjeshtësia të bën të brishtë,

Po t’bën edhe të lirë!

 

Në një ças të vetëm shembet,

Çka ti ndërtove një jetë.

S’ka gjë – vazhdo – ndërto;

Diçka sigurisht do të mbetë!

 

Njerëzinë po e ndihmove,

Do t’ thotë ç’t’i vijë për goje

S’ka gjë, ti mos u tremb,

Prap duaje e ndihmoje!

 

Gjithçka ke të mirë, jepja botës.

E di, do të të shkelin nën thembër:

S’ka gjë, ti prap jepja botës,

Gjithçka ke të bukur në zemër!








All the contents on this site are copyrighted ©.