2016-08-09 17:17:00

Gjakderdhje në Etiopi. Policia vret 100 manifestues


U shtypën me gjak nga policia manifestimet e fundjavës së kaluar në Etiopi. Grupet etnike Oròmo dhe Amhara kishin dalë në shesh, në kryeqytetin Addis Abeba e në zona të tjera të vendit, duke kërkuar më shumë të drejta. Sipas Amnesty International, janë më se 100, viktimat e qindra, të arrestuarit, të cilët ka rrezik të torturohen. Zëdhënësi i Amnesty International Italia, Riccardo Noury, flet në mikrofonin tonë:

         Mbushën sheshet qindra e qindra njerëz, në mënyrë krejtësisht paqësore, për kërkesa politike, por edhe për më shumë drejtësi, të drejta njerëzore e për fundin e represionit, i cili vazhdon që nga revolucioni i vitit 1991. Dy grupet etnike përfaqësojnë 60% të popullsisë 94 milionëshe të Etiopisë. Protestat u zhvilluan në rajonin e Oromias, ku, nga nëntori i kaluar ka manifestime, sepse qeveria lajmëroi për një plan rregullator, që do të përfshijë në kryeqytet edhe pjesë nga tokat e Oromëve. Nga korriku, gjendja u vështirësua edhe në rajonin e etnisë Amhara, për shkak të një rivendikimi territorial për një zonë, që u përkiste Amharave para revolucionit të ’91-shit. Sipas lajmeve të Amnesty International, kësaj radhe ka pasur më se 100 viktima e disa qindra arrestime. Njerëzit mbahen nëpër burgje jo zyrtare, në izolim, pa kontakte me botën, prandaj, rreziku që të torturohen është i madh. Ndër të tjera, kjo gjakderdhje mbeti e panjohur për orë të tëra. Edhe Amnesty i mori vesh faktet e fundit, që kanë ndodhur të dielën, më 7 gusht, vetëm të hënën në darkë.

         Cilat janë informacionet që keni për kushtet brenda vendit?

         Është një gjendje, që po keqësohet dita-ditës: përdorim torture, manifestime të shtypura me gjak, censurë kundër shtypit, pamundësi për veprimtari politike, burgim për çdo lloj opozite me natyrë parlamentare, që kërkon reforma politike. Kjo është gjendja! Ka akoma shumë aktivistë për të drejtat e njeriut, që me guxim, nxjerrin lajme jashtë një vendi, i cili historikisht është shumë i mbyllur dhe i shmanget kontrollit ndërkombëtar.








All the contents on this site are copyrighted ©.