2016-08-08 10:55:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”.


Ata që patën fatin e madh të jenë pranë Nënë Terezës, mblodhën shumë margaritarë të çmuar që, gati vetvetiu, i dilnin nga goja, duke i mbushur me dritë gjestet e saj të përditshme,  të vogla e të mëdha. Ia vlen të ndalemi një çast e të reflektojmë për pyetjet, që iu bënë e, sidomos, për përgjigjet:

“Nënë Terezë, cila është dita më e bukur për ju?”.

“E sotmja! Sepse mund ta mbush përsëri me dashuri”.

“Njeriu më i rëndësishëm?”.

“Ky, me të cilin po flas.”

“Gjëja më e lehtë?”.

“Të gabosh”.

“E zanafilla e të gjitha të këqijave?”.

“Egoizmi, jam e sigurt”.

“Cila është zbavitja më e këndshme?”

“Puna, sepse pushtohem nga gëzimi, kur u jap pakëz gëzim të tjerëve”.

“Cilët janë profesorët më të mirë?”.

“Fëmijët, ngaqë nuk kanë maska!”.

“Sekreti i lumturisë?”.

“T’u bësh mirë të gjithëve… gjithnjë!”.

“Njeriu më i rrezikshëm?”.

“Ai që shtiret, sepse nuk e di kë ke përpara”.

“Ndjenja më çarmatosëse?”.

“Mllefi, sepse të shtyn të bësh të gjitha llojet e marrëzisë”.

“Cila është dhurata më e bukur?”.

“Fjala, sepse e bën të lum kë jep e kë merr”.

“Gjëja më e domosdoshme?”.

“Familja. Po, familja! Mos harroni se dhurata më e mirë që një atë mund t’u bëjë fëmijëve, është ta dojë nënën e tyre. E dhurata më e mirë, që mund t’u bëjë nëna, është ta dojë fort babain e tyre. Përvoja  na  e kujton këtë me zë të lartë çdo ditë!”.

“Mbrojtja më e mirë?”

“Buzëqeshja, sepse të çarmatos!”.

“Ilaçi më i dobishëm?”.

“Optimizmi, sepse i shëron të gjitha sëmundjet”.

“Gjëja më  e bukur në botë?”.

“Dashuria. Sepse Zoti është dashuri!”.

Lidhur me këtë dëshiroj të tregoj një ngjarje, që ka shijen e rrëfimeve  françeskane:

“Në Shtëpinë e Zemrës së Papërlyer të Zojës”, në Kalkutë, dyndet çdo ditë një turmë të dëshpëruarish: duken si të kishin dalë nga skëterra e poshtërimit, për të hyrë në përqafimin gazmor të dashurisë, që i ngre nga balta e ua rikthen dinjitetin.

Një ditë këtu sollën një grua, gjetur, si zakonisht, pranë një gjirizi të hapur, gjë e zakonshme për këto vise. Ishte e gërbulur... me këmbët e ngrëna nga minjtë. Pamja ishte e neveritshme. Nënë Tereza deshi ta ndiqte vetë këtë mishërim tronditës të dhimbjes, duke e prekur me gjithë dashurinë që kishte në zemër.

Gruaja e la të vijonte, duke e shoqëruar çdo lëvizje me fjalë të dëshpëruara e me mallkime:

“Më flakën fëmijët, si thes me pleh - thërriste me zë të çjerrë - Mallkuar… mallkuar qofshin…

“Mos mallko! Nëna duhet të bekojë gjithmonë!”.

“Po ti, kush je? Pse sillesh kështu? Pse më trajton me kaq shumë dashuri?”.

“Sillem kështu, sepse të dua”.

“Më dashke? Po ti nuk më njeh fare. Kush të mësoi të sillesh kështu?”.

“Zoti im!”.

“Zoti yt. E si quhet?”.

“Zoti im quhet Dashuri!”.

“Më ndihmo ta njoh, të lutem!”.

Ti tashmë e njeh. Në duart e mia është Ai, që të ledhaton; në sytë e mi është Ai, që të shikon; me buzët e mia është Ai, që të qesh; në zemrën time është Ai, që të do”.

“Sa lajm të mirë më dhe! Zoti është dashuri, e unë nuk e dija…”.

Gruaja e gërbulur, e flakur në gjiriz nga të bijtë, vdiq me këto fjalë në gojë. Nënë Tereza i mbushi me shpresë çastet e fundme të jetës së saj të mjeruar … E kështu u nis e shkoi të takojë Zotin, që është Dashuri edhe për të.. ndonëse ajo nuk e dinte.

A nuk na takon ne, tani, ta vijojmë veprën e Nënë Terezës?








All the contents on this site are copyrighted ©.