2016-08-08 16:52:00

Nunci në Damask: popullsia siriane masakruar nga “lufta me prokurë”


Nuk ndalen luftimet në Haleb, ku vazhdon beteja ndërmjet forcave rebele dhe ushtrisë së presidentit al Assad, që ka rrethuar qytetin sirian. Qindra, të vdekurit e këtyre ditëve. Pasojat i paguajnë civilët e sidomos fëmijët, siç denoncoi Papa në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke kritikuar “mungesën e vullnetit nga ana e të pushtetshmëve të kësaj bote” për t’i dhënë fund një lufte, që zgjat prej 5 vjetësh. Të dëgjojmë komentin e nuncit apostolik në Siri, imzot Mario Zenari, me telefon nga Damasku:

         Papa përdor fjalë të forta: “Është e papranueshme – thotë – që sa e sa njerëz të pambrojtur, civilë e sidomos fëmijë, të paguajnë çmimin e këtij konflikti”. E këtu, dua të kujtoj edhe thirrjen e vazhdueshme të Kombeve të Bashkuara për palët ndërluftuese që të respektojnë të drejtën ndërkombëtare, duke filluar nga mbrojtja e civilëve… Ban Ki-moon nuk pushon së përsërituri se edhe lufta ka rregulla… Fatkeqësisht, mbrojtja e civilëve ka dështuar në këto pesë vjet: mjafton të mendojmë se përditë goditen spitale, shkolla, tregje popullore, madje edhe kampe refugjatësh, kisha, xhami; mjafton të mendojmë se popullsia civile e pafajshme ka qenë, mëse një herë, viktimë e armëve kimike, për shembull. Bashkësia ndërkombëtare e ka verifikuar përdorimin e armëve kimike, megjithëse nuk ka gjetur akoma fajtorët. Pastaj, dua të kujtoj popullsinë civile të pambrojtur e të pafajshme, viktimë e armës së urisë: mjafton të mendojmë për gati 600 mijë vetë të rrethuar e për pesë milionë, që jetojnë në vende, ku nuk mund të hyhet e të dilet, për shkak të luftës; akoma, dua të kujtoj popullsinë civile në disa zona, viktimë e armës së etjes. Në Haleb, para disa muajsh u mbyll ujësjellësi. Por të mendojmë edhe për ilaçet, edhe këto, shpesh, të përdorura si armë: në disa zona pengohet blerja e ilaçeve, përdorimi i mjeteve kirurgjikale… E pastaj, ndër viktimat civile – siç na e kujtoi edhe Papa – ka fëmijë. Deri para një viti, statistikat flisnin për 14 mijë viktima ndër fëmijët e të miturit e vdekur në Siri, të cilëve u duhen shtuar ata, që janë munduar të kapërcejnë detin, fëmijët e vdekur nga uria, të gjymtuarit… Vetëm para dy ditësh, në Damask, pashë fëmijë, që duke shkuar apo duke u kthyer nga shkolla, ishin goditur nga cifla mortajash, madje, njërit i kishte prekur mëlçinë. Por sa të tjerë kam parë! Pastaj, fëmijët në disa zona e në disa kampe refugjatësh janë viktima të abuzimeve seksuale, vajzat e vogla martohen para kohe; kemi fenomenin e trishtuar të fëmijëve-ushtarë, kemi mëse 2 milion fëmijë pa shkollë… Prandaj, do të thosha se thirrja e Papës është më se e duhur…

         Papa tha se të pushtetshmëve të kësaj bote u mungon vullneti për paqe…

         Këtu e prekim me dorë se si Siria është kthyer në fushë beteje për interesat gjeopolitike rajonale dhe ndërkombëtare. Gjithnjë e më tepër bëhet e qartë se kemi të bëjmë me luftë me prokurë; është luftë tepër e ndërlikuar e këtu – siç thotë Papa – do të duhej një vullnet më i fortë, më i vendosur për të arritur paqen.

Cila është gjendja e të krishterëve?

         Gjendja e të krishterëve varet nga zona ku ndodhen. Vuajnë si të gjithë, por përsa u përket zonave të kontrolluara nga Shteti Islamik, aty nuk kemi më bashkësi, si në Deir el-Zor, ashtu edhe në Raqqa: të krishterët janë larguar para se të mbërrinte Shteti Islamik. Kemi tre famulli, që mbahen nga françeskanët në veriperëndim, në zonën e Idlibit: është zonë shumë, shumë “e nxehtë”, zonë nën kontrollin e asaj, që deri dje quhej “al Nusra”. Aty jetojnë rreth njëmijë të krishterë: mbijetojnë; kanë mundësi të shkojnë në kishë, të luten, por nuk mund ta shfaqin jashtë fenë e tyre, as me kryqe, as me tingujt e këmbanave. Aktualisht, kjo është zona më “e nxehtë”, në të cilën jetojnë të krishterët në Siri. Pastaj është zona e Halebit në perëndim, nën kontrollin e ushtrisë. Shkova para dy muajsh e gjysëm, në fund të majit e pashë katedralet tona e ato ortodokse krejtësisht të shkatërruara: më bëri shumë përshtypje. Fatkeqësisht, lagjet e krishtera ndodhen pikërisht në vijën e demarkacionit, prandaj bashkësia e Halebit është më e ekspozuara ndaj bombave dhe mortajave.

Cilat janë përspektivat për Sirinë?

Vështirë të parashikohet, sepse konflikti merr çdo vit aspekte të veçanta, ndërlikohet… Përfshihen disa palë e kjo e bën edhe më të vështirë. Fillimisht, dukej si luftë civile – katastrofë edhe kjo – por pastaj, u shtua lufta me prokurë (siç i them unë luftës për llogari të dikujt tjetër) e, më tej akoma, kjo lufta e Isis-it, e Daesh-it, e Shtetit Islamik, që vazhdon të mbjellë vuajtje pa fund. Kombet e Bashkuara flasin tashmë për genocid të popullsisë jazide nga Isis-i. Në disa zona, gratë e vajzat shiten e blihen në treg, si të ishin kafshë: ku kemi arritur, o Zot! Deri në ç’pikë popullsia civile paguan pasojat e tmerrshme të kësaj lufte, kaq të ndërlikuar!

Papa e ftoi botën të jetë solidare me Sirinë. Por si mund të arrihet kjo?

Papa përdori një armë: ne kemi këtë armë, në të cilën besojmë. Është arma e lutjes. Ishte çast i bukur, kur u kërkoi të gjithëve të luteshin në heshtje e pastaj, ta lusnin së bashku Shën Marinë Virgjër për paqen. Besojmë në armën e lutjes. E pastaj, edhe në solidaritetin, që duhet të tregohet me fakte e duhet të kontribuojë për të mos e harruar tragjedinë, që po kalojnë vëllezërit e motrat tona.








All the contents on this site are copyrighted ©.