2016-08-08 15:00:00

Ndërroi jetë imzot Ercole Lupinacci: sot Mesha e Dritës dhe varrimi


Më 6 gusht 2016, ndërroi jetë ipeshkvi arbëresh i nderit, Ercole Lupinacci (San Giorgio Albanese, 23 nëntor 1933 - 6 gusht 2016).

Ishte ipeshkëv katolik i posaçëm, që në Kishën katolike njihet me titullin hepark, në shërbim të arbëreshëve të Italisë. I pari që shkeli në Shqipërinë e rrethuar akoma nga perdja e hekurt e që rifilloi kremtimet, në ritin bizantin, edhe në katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër, akoma pallat sporti.

Pasi studioi pranë seminarit Benedikti XV, në Grottaferrata, u shugurua  meshtar më 22 nëntor 1959 nga heparku Giovanni Mele. Në vitin 1960  u thellua në teologji pranë Universitetit Papnor Gregorian. Dha mësim në liceun shtetëror të mirënjohur të Shën Dhimitër Korone.

Më 25 mars 1981 Papa Gjon Pali II e emëroi hepark të Horës së Arbëreshëve. Shugurimin ipeshkvnor e mori në katedralen e Shën Dhimitrit Megalomartir, në Horën e Arbëreshëve, më 6 gusht të të njëjtit vit, nga dora e heparkut Giovanni Stamati.  

Më 30 nëntor 1987 Papa Gjon Pali II e emëroi hepark të Ungrës.

Luajti një rol të rëndësishëm në dialogun ndërmjet Kishës katolike e asaj ortodokse. Tejet i kulturuar, fliste rrjedhshëm pesë gjuhë: italishten, shqipen, greqishten e  vjetër e të re dhe gjuhën franceze.

Më 10 gusht 2010, Papa Benedikti XVI pranoi kërkesën e tij për dorëheqje, për shkak të arritjes të moshës së pensionit.

E kreu shtegtimin mbi këtë tokë më 6 gusht 2016, në ditën e 35-vjetorit të shugurimit ipeshkvnor, në orët e para të mëngjesit. Ishte 82 vjeç.

 

La pas një Kishë, që i bëri të pranishme në viset perëndimore, pasuritë e traditës kishtare lindore, duke punuar për të realizuar dëshirën e bashkimit të plotë të të krishterëve të Perëndimit e të Lindjes. Përmes tij, Provania Hyjnore bëri të ngriheshin kisha të reja, me afreske e mozaikë bizantinë,  si dhe  komplekse famullitare  në shërbim të jetës shpirtërore të grigjës, që iu besua. Ipeshkvi i Ungrës, imzot Donato Oliverio, kleri heparkial dhe gjithë besimtarët falënderojnë Zotin, që u dhuroi një bari të mirë e të zellshëm si imzot Ercole Lupinacci.

E vizitoi shumë herë Programin e Gjuhës Shqipe pranë Radio Vatikanit, duke lënë pas kujtime jashtëzakonisht të bukura, si bashkëbisedues i këndshëm e i kulturuar që ishte. E na la edhe disa intervista, të cilat do të mbeten si një kujtim me vlerë në arkivin tonë. Prej tyre shkëputëm një fragment, që ju ftojmë ta ndiqni:

E sot imzot Lupinacci u përcoll, me lot në sy, në banesën e mbrame.

Pushoftë në paqe!

 








All the contents on this site are copyrighted ©.