2016-08-07 13:30:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: i papranueshëm, çmimi i konfliktit në Siri


Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi dramën e Sirisë e, në veçanti,  atë të civilëve, ndërmjet të cilëve, fëmijë, viktima të konfliktit. Ati i Shenjtë ftoi edhe për ta jetuar jetën duke ndenjur gjithnjë zgjuar, në pritje aktive, si prelud i amshimit.

Mendimi i Papës shkoi përsëri në Siri, ku javën e kaluar - sipas Vëzhguesit sirian për të drejtat e njeriut - vdiqën të paktën 700 vetë, gjatë ndeshjeve të rebelëve me ushtrinë qeveritare në Haleb. Ndërmjet viktimave, edhe civilë:

“Për fat të keq, nga Siria vijojnë të vijnë lajme, që flasin për viktima civile lufte, posaçërisht në Haleb. Është e papranueshme që njerëz të pambrojtur - edhe shumë fëmijë -  të detyrohen ta paguajnë çmimin e konfliktit. Çmim i mbylljes së zemrave, i mungesës së vullnetit të njerëzve të pushtetshëm për paqe. Jemi pranë vëllezërve e motrave siriane me lutje e solidaritet e ia besojmë mbrojtjes amtare të Marisë”.

Jetë, në pritje

Duke shtjelluar fragmentin e Ungjillit, në të cilin Jezusi u flet dishepujve  për mënyrën si duhet të sillen në pritje të takimit përfundimtar me Zotin, Papa nënvizoi se pritja e këtij takimi duhet të na shtyjë të jetojmë një jetë të pasur me vepra të mira. Jezusi - kujtoi - na propozon një program kuptimplotë jete:

“Është ftesë për të vlerësuar lëmoshën, parë si vepër mëshire, për të mos e mbështetur shpresën mbi të mirat kalimtare, për t’i përdorur sendet pa u kapur fort pas tyre e pa egoizëm, por sipas logjikës së Zotit, logjikës së vëmendjes për të tjerët, logjikës së dashurisë. Ne mund të kemi shumë gjëra, të jemi shumë të dhënë pas parasë, mund të kemi shumë… Por, pastaj, në fund të fundit, nuk mund të marrim asgjë me vete, eh? Mos e harroni se qefini nuk ka xhepa”.

Mos e harroni, pra, çarçafi i vdekjes e mbështjell vetëm korpin tonë dhe e  lë jashtë, mbi dhe, gjithçka e dëshiruam dhe e grumbulluam në jetë.

Ta presim Zotin me fe

Duhet ta presim me fe Zotin - shtoi Papa - të jemi gati, duke shërbyer:

“Ai është i pranishëm çdo ditë, troket në portën e zemrës sonë. E do të jetë vërtet i lum kush do t’ia hapë, sepse do të ketë shpërblimin e madh. Të mos harrojmë: vetë Zoti do të bëhet shërbëtor i shërbëtorëve të Tij”.

Jeta, si natë pa gjumë, në lutje

Jezusi - shpjegoi Papa - e paraqet jetën si një natë pa gjumë, kaluar në pritje aktive, që i paraprin ditës së ndritshme të amshimit:

“Që të mund të hyjmë, duhet të jemi gati, zgjuar e në shërbim të të tjerëve, me perspektivën ngushëlluese se ‘atje lart’ nuk do të jemi ne, që do t’i shërbejmë Zotit, por Ai vetë do të na presë në sofrën e Tij. E, po ta mendosh mirë, kjo ndodh sa herë e takojmë Zotin në lutje, ose në shërbim ndaj të varfërve e, posaçërisht, në Eukaristi, kur ai përgatit gostinë, në të cilën ne ushqehemi me Fjalën e Tij, me Korpin e Tij”.

Ta bëjmë botën më të drejtë

Papa Françesku u ndalua, pastaj, tek situata e ditëve tona, që përsëritet e rëndon fort mbi jetën e njerëzve: vijojnë padrejtësitë, vijon dhuna, ligësitë e përditshme, të vogla e të mëdha, që trazojnë korp e shpirt. E gjithë kjo lind nga ideja për t’u sjellë si zotër të jetës së të tjerëve, për t’i sunduar, në dobi të  vetvetes. Pa menduar se të gjithë kemi “një Zotëri të vetëm”:

“Kemi një Zotëri të vetëm, të cilit nuk i pëlqen të quhet ‘zotëri’,  sepse i pëlqen të thirret ‘Atë’. E ne jemi shërbëtorë, jemi mëkatarë të gjithë, e edhe bij. E ai, i vetmi Atë. Jezusi sot na kujton se pritja e lumturive të amshuara nuk na çliron nga angazhimi për ta bërë botën më të drejtë e më të banueshme. Madje pikërisht kjo shpresë për të fituar Mbretërinë në amshim, na shtyn të punojmë për t’i përmirësuar kushtet e jetës tokësore, posaçërisht të vëllezërve tanë më të ligshtë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.