2016-08-05 14:49:00

Halebi i rrethuar. Imzot Audo: jemi të gjithë në rrezik


Ndeshje të reja dramatike në periferi të Halebit. Ushtria besnike ndaj regjimit të Bashar al-Asadit vazhdon t’i shtrëngojë rebelët të braktisin zona të rëndësishme territoriale në periferinë e qytetit. Beteja përqendrohet në jugperëndim, ku rebelët kanë filluar që prej tri ditësh, një ofensivë pa ndonjë rezultat të dukshëm. Trupat qeveritare kanë marrë në dorë lartësirën e Telat al-Mahoroukat dhe qytetet e Khweris-it dhe al-Amriyeh-ut. Të mbështetur nga sulmet ajrore ruse, ushtarët po avancojnë në zonën e kontrolluar nga rebelët, duke shtënë në dorë kodra e fshatra të ndryshme. Qytetarët e Halebit, në këtë rrethim pa fund, janë të detyruar të jetojnë në kushte të dëshpëruara, siç na informon nga vendi, ipeshkvi, imzot Antoine Audo:

         Pasi mbyllën rrugën, që quhet “Kështjella”, e cila shkon drejt Turqisë, ka një numër të mirë grupesh të armatosura, që sulmojnë e tani, është e rrezikshme të hysh në Haleb edhe nga rruga tjetër, “Ramuse”. Secili prej grupeve mundohet t’i presë rrugën tjetrit, në mënyrë që të mos furnizohet me ushqim, por edhe me ushtarë.

         Armiku më i keq për civilët, në këto orë, është uria, apo jo?

         Po. Normalisht, kërcënimet vijnë nga të dyja palët. Nuk duhet folur vetëm për njërën palë, është shkallëzim lufte. Qëndrimi i urtë i Kishës dhe i Atit të Shenjtë duhet ta ndihmojë Sirinë të gjejë një zgjidhje politike, …nuk ka zgjidhje ushtarake. Është e vështirë të mbijetosh në situata të këtilla, sepse jemi në rrezik të gjithë. Kam miq, që shkuan të hënën në Haleb. Deshën të ktheheshin pikërisht në Haleb, nga ku kishin ikur më parë, por nuk arritën të hyjnë, ka bombardime gjithandej. Është krijuar një gjendje pasigurie e dhune, përveç varfërisë së skajshme: të gjithë janë bërë të varfër, të gjitha çmimet janë shumëzuar me 10, gjithçka është e shtrenjtë për shkak të zhvlerësimit të lirës siriane. E pastaj, nuk ka punë.

         Cila mund të jetë zgjidhja për t’i dhënë fund këtij masakrimi?

         I gjithë populli është i stërmunduar: kjo është e vërteta. Përsa i përket zgjidhjes politike, do të mjaftonte të mos shiteshin armë, të mos mbështeteshin grupe të armatosura për interesa politike, të respektohej realiteti sirian, uniteti i Sirisë, ligjshmëria e autoriteteve siriane: kjo është udha e vërtetë drejt paqes.








All the contents on this site are copyrighted ©.