2016-08-04 09:00:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: Tabità


Për shkak se Papa Françesku ishte shtegtar në Poloni, ku mori pjesë në DBR-në e Krakovit, të enjten e kaluar, nuk e transmetuam emisionin tonë. Sot, vijojmë me një shembull nga Shkrimi Shenjt, që na mëson se duke bërë veprën e mëshirës së veshjes së të zhveshurve, hapen për njeriun Portat e Qiellit. Siç është rasti i Tabitës, apo i Shutës.

        Në Veprat e Apostujve gjejmë një vajzë të re, që quhet Tabità, emër që do të thotë “shutë, gazelë”. Jetonte në Jopë. Ishte endëse me famë e dinte të bënte tunika e mantele. Kjo vajzë, ma natyrë të qetë e disi të mbyllur, ia kishte hapur zemrën urdhërimit të Tënzot për t’i dashur të tjerët dhe impenjohej ta jetonte plotësisht. Çdo ditë, shkonte në shtëpinë e ndokujt, gjithnjë e gatshme të shërbente njëfarësoj: gatuante, pastronte, ose arnonte ndonjë rrobë. U bënte shoqëri njerëzve të vetmuar, që nuk mund të dilnin nga shtëpia. Bujaria e saj në ndihmën për nevojtarët, sidomos për vejushat, njihej nga të gjithë. Bamirësia e Tabitës, nuk ishte thjesht ndjenjë dhembshurie, por kishte peshën e veshjeve të qepura me duart e saj, sepse ajo i vinte aftësitë personale në dispozicion të të varfërve. Lutej gjithnjë, prandaj nuk mungonte kurrë kur njerëzit mblidheshin për t’i thurur lavde Zotit e për të ndarë bukën në kujtim të Krishtit: prej këndej e merrte forcën për të bërë mirë.

        Kur vdiq papritmas, u prek gjithë bashkësia dhe u mblodh për t’u lutur në shtëpinë e saj. Ndërsa ndodheshin aty, morën vesh se Pjetri ishte për vizitë në qytetin e Lidës aty afër. Pikërisht në atë qytet kishte shëruar Enean, i cili prej tetë vjetësh dergjej i paralizuar në shtrat. Atëherë çuan njerëz ta thërrisnin Pjetrin e t’i tregonin ç’kishte ndodhur me Tabitën. Pjetri erdhi pa vonesë e gjeti gratë që po qanin në shtëpi. Sapo e panë, të gjitha i treguan veshjet, që Tabita kishte qepur për to. I mallëngjyer nga gjithë kjo dhimbje, Pjetri u kërkoi grave të dalin e ta lënë një çast vetëm me të vdekurën. U gjunjëzua e tha: “Tabitë, çohu!” (Vap 9,40) e ajo hapi sytë e u ngrit ndenjur. Atëherë Pjetri thirri besimtarët dhe vejushat dhe ua tregoi vajzën, gjallë. Ngjarja u mor vesh në gjithë Jopën e shumë u kthyen në krishterim. Tabita, për meritë të fesë së saj, “që vepron me dashuri” (Gal 5,6) provoi ringjalljen, sepse bamirësia e dashuria i hapin portat e Qiellit e i mbyllin ato të Ferrit. Të ruajnë në jetë e të mbrojnë nga vdekja.








All the contents on this site are copyrighted ©.