Papa Françesku priti sot paradite pjesëmarrësit në Kapitullin e Përgjithshëm të Urdhërit të Vëllezërve Predikatarë, Domenikanëve, kryesuar nga mjeshtri i përgjithshëm i tyre, vëllai Bruno Cadoré.
Predikim, dëshmi, mëshirë. Janë tri pikat e forta të fjalimit të Papës Françesku drejtuar, sot paradite, pjesëmarrësve në Kapitullin e Përgjithshëm të Domenikanëve, mbajtur në Bolonjë. Papa nënvizoi se, për të qenë predikatar i mirëfilltë i së vërtetës, duhet të shuash etjen e të afërmit, të prekësh, në të varfërit e nevojtarët, korpin e munduar të Krishtit.
“Hoy podriamos describir este dia…
Ditën e sotme - tha me shaka Papa - mund ta titullojmë: “Një jezuit, ndërmjet fretërve”, sepse paradite jam mes jush, pasdite, në Asizi, me françeskanët. Më pas Françesku e përqendroi fjalimin drejtuar domenikanëve, mbi tri pika: predikim, dëshmi e mëshirë. Tri shtyllat themelore për ardhmërinë e Urdhërit - theksoi - që e mbajnë freskinë e karizmës së zanafillës.
“Sin una fuerte union personal…
Pa bashkim të fortë personal me Zotin - vërejti - predikimi mund të jetë i përkryer, i arsyetuar, i admirueshëm, e megjithatë, të mos prekë asnjë zemër. E është pikërisht zemra, ajo që duhet prekur, për t’u shndërruar. Predikatari - vijoi - është kundrues i Fjalës së Zotit, por edhe i fjalës së popullit, që shpreson të kuptohet”.
“Transmitir más eficazmente la Palabra…
Që ta transmetosh më frytshëm Fjalën e Zotit - shtoi - duhet ta dëshmosh: të jesh mjeshtër besnik ndaj së vërtetës e dëshmitar i guximshëm i Ungjillit”.
Dëshmia - tha Papa - e mishëron mësimin, e bën më të prekshëm, nuk e lë askënd indiferent. Bashkon të vërtetën me gëzimin e Ungjillit, duke e bërë njeriun ta ndjejë se Zoti e do e se është objekt i mëshirës së Tij të pambaruar. Së fundi, Françesku foli për mëshirën. Korpi i Krishtit “i gjallë e i munduar”, kujtoi, i bërtet predikatarit e nuk e lë të qetë. Është britma e të varfërve, e të flakurve nga radhët e shoqërisë, ajo që na zgjon e na bën ta kuptojmë dhembshurinë që kishte Jezusi për njerëzit e Tij. Kjo britmë - vijoi të pohojë - na drejtohet e mbi të duhen bazuar strukturat dhe programet baritore, ashtu si dhe organigrama e Urdhërit. Gjithçka, theksoi edhe një herë me forcë - duhet bërë për t’iu përgjigjur kësaj britme të Zotit.
“Cuanto más se salga a saciar la sed…
Sa më shumë dilet për të shuar etjen e të tjerëve - vërejti Papa - aq më shumë do të jemi predikatarë të së vërtetës, të kësaj së vërtete të kumtuar nga dashuria e nga mëshira, për të cilën flet Shën Katerina nga Siena. Në takimin me korpin e gjallë të Krishtit - përfundoi - ungjillëzohemi e rizbulojmë pasionin e predikatarit dhe të dëshmitarit të dashurisë së Tij”.
Françesku e përfundoi fjalimin duke i inkurajuar domenikanët ta vijojnë me gëzim karizmën e frymëzuar nga Shën Domeniku. Shembulli i tij - pohoi - nxit për përballimin e ardhmërisë plot me shpresë, “duke e ditur mirë se Zoti e përtërin gjithnjë gjithçka e nuk të zhgënjen”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |