2016-08-04 14:00:00

Gregori III Laham: lutje e agjërim kundër terrorizmit


Ftesë drejtuar të gjithë besimtarëve për t’iu kushtuar lutjes e agjërimit, duke e luftuar kështu, valën e terrorizmit, që po shkon duke prekur vende të ndryshme njëri pas tjetrit. Është Gregori III Laham, Patriarku greko-melkit i Antiokisë dhe i mbarë Lindjes, i Aleksandrisë dhe i Jeruzalemit, që e bën, në fillim të kremtimit të Paraklisis, nisur më 1 gusht, për të përfunduar më 15, në nderim të Zojës së Ngjitur në Qiell. Është Pashka e vogël e Zojës.

Drama e pafundme e sirianëve

Patriaku - kujton agjencia Sir - flet për tre sulmet terroriste: në Gjermani, në Kishën e Rouen, në Francë, por edhe për dramat, që jeton Siria, posaçërisht këto ditët e fundit, në Haleb e në Qamichli, e edhe Libani, me tragjedinë që goditi Qaa, pa harruar edhe atentatin vrasës të Patrikut siro-ortodoks Efremi II. I jetojmë këto tragjedi me dhimbje të thellë - pohon Gregori III - posaçërisht kur bëhet fjalë për refugjatët sirianë, sepse vërehen reagime urrejtjeje e racizmi kundër refugjatëve paqësorë. E këtë e vërejtëm gjatë vizitave tona në gjirin e refugjatëve sirianë, strehuar në Gjermani - nënvizon.

Ngushëllime Francës e Gjermanisë

Prej këndej, ftesa për lutje e agjërim, në atmosferën përgatitore të Solemnitetit të Zojës së Ngjitur në Qiell, që me ndërmjetësimin e saj, të  zhduket terrorizmi, të marrin fund krimet e dhuna. Patriarku greko-melkit ngushëllon Francën e Gjermaninë dhe lutet për viktimat, për shërimin e shpejtë të të plagosurve dhe rikthimin e paqes në të gjitha viset e botës.








All the contents on this site are copyrighted ©.