Në emisionin e tretë të rubrikës “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”, vijojmë të shfletojmë librin “Njoha një shenjtore”, shkruar nga kardinali Anxhelo Komastri, në ndihmë të përgatitjes shpirtërore, për ditën e shenjtërimit të së Lumes. E pikërisht sot, në prag të shtegtimit të Françeskut në Porciunkola, faqja e librit, krejt rastësisht, u hap tek një lutje e mirënjohur poetike, që na kujton njëherësh tri figura, me një lidhje të fuqishme shpirtërore ndërmjet tyre: Shën Françeskun, që e krijoi; Nënë Terezën, që e pëlqente aq shumë dhe Françeskun tjetër që nesër, shtegtar, pikërisht atje ku u krijua lutja, do ta meditojë, duke nisur nga titulli kuptimplotë e tejet aktual: “Zot, më bëj mjet të paqes sate”:
O Zot, të lutem, më bëj mjet të paqes sate,
Ku ka urrejtje, bëj të çoj dashuri,
Ku fyerje ka, të çoj paqen tënde,
Ku grindje ka, unë fenë ta çoj,
E ku ka gabim, të çoj të vërtetën,
Ku ka dëshprim, të çoj të lumen shpresë,
E ku ka trishtim, gëzimin ta çoj.
Ku dynden retë, veç dritë të rrezatoj.
Oh! Mësues, më bëj t’kërkoj pak në këtë jetë,
Të tjerët t’më kuptojnë, ashtu si i kuptoj,
E edhe t’më duan, ashtu si i dua vetë.
E di, Zot, se marr, atëherë kur dhuroj,
Ashtu si kur fal, dhe të tjerët më falin,
E jetën pa mort, kur t’ vdes, e fitoj.
Variant poetik i lutjes:
Bân, Zot, n’vend t’urrejtjes, të ndezi dashninë.
Njeriu i fyem ta fali njerinë!
Ku ngrindja gërryen, të çoj unë bashkim.
E feja t’lulëzojë, ku pati dyshim.
Ku klithi gabimi, të flasë e vërteta.
N’vend t’gjâmës s’ disprimit,
t’ këndojë prapë jeta.
Ku dënesë trishtimi, e gëzimit t’vijë dita.
Ku hijet të ngjethin, t’shpërthejë prapë drita!
O Zot, më mëso të kënaqen me pak,
ngushëllimin tand ta mbjell në çdo prak.
T’kuptoj e t’kuptohem prej bijve të Tú.
T’më duen njerëzia, ashtu si i due.
Ajo që ke dhanë asht e marrun përsërí.
Kur falë je i falun në paqë, përjetësí!
All the contents on this site are copyrighted ©. |