2016-08-02 14:08:00

Siri: rrëzohet helikopteri rus. Isis kërcënon Moskën


Nuk patën asnjë mundësi shpëtimi pesë ushtarakët në helikopterin rus Mi-8, rrëzuar sot në Siri. Të gjithë humbën jetën, në episodin më të rëndë, që u ndodhi Forcave të Armatosura të Moskës, që nga fillimi i ndërhyrjes së tyre në vend.

Jo më larg se dje, me anë të një videoje, Isis-i lëshonte anatema e kërcënime kundër Rusisë. “Dëgjo Putin – ulërinte një nga ndjekësit e Kalifatit në gjuhën ruse, ndërsa ecte me makinë në shkretëtirë – do të vijmë në Rusi e do t’ju vrasim nëpër shtëpitë tuaja”. Kremlini minimizon: “Nuk duhet ta ekzagjerojmë rëndësinë e këtyre filmimeve”, deklaroi zëdhënësi i presidentit Putin. Sipas tij, kërcënimet janë taktikë e terroristëve për të frikësuar njerëzit, gjë që, nga ana tjetër, tregon se lufta kundër tyre po jep rezultate. Rusia do ta vazhdojë këtë luftë kundër terrorit, në të gjitha drejtimet.

Helikopteri rus u qëllua në provincën e Idlibit, në kthim nga një udhëtim në Haleb, për t’u çuar ndihma humanitare rreth 300 mijë civilëve të mbërthyer në qytet. Qeveria siriane dhe rusët thonë se kanë hapur korridore humanitare, por pa sukses. Moska dyshon se helikopteri është qëlluar nga terroristët e Frontit al Nusra. Ushtarët rusë, të përfshirë nga flakët, nuk janë lënë të qetë nga terroristët as në çastet e fundit të vdekjes, por janë tërhequr rrëshqanë, janë gjuajtur me shqelma e janë qëlluar me thika.

Ndërhyrja e forcave ruse në Siri filloi në shtator 2015, me sulme ajrore. Viktimat civile kanë qenë të shumta, shkaktuar, fatkeqësisht, edhe nga bombat e koalicionit udhëhequr nga SHBA-të.








All the contents on this site are copyrighted ©.