2016-08-02 16:48:00

Papa ipeshkvijve polakë: bujarë me emigrantët, famullitë në dalje!


Të mirëpriten emigrantët sipas mundësive, por me bujari. Të “preket” korpi i atij, që vuan, të shoqërohet rritja në fe, në një epokë analfabetizmi fetar e të ripërtrihet me frymë krijuese, jeta e famullive. Janë disa nga temat e zhvilluara nga Papa, në bisedën me ipeshkvijtë polakë më 27 korrikun e kaluar, në fillim të vizitës në vendin evropian. Teksti i fjalimit u bë i njohur sot.

Relativizmi fetar, të jetuarit e mëshirës, në një botë të sunduar nga padrejtësia, vlera e paperëndueshme e modelit të famullisë, Evropa dhe sfida e mikpritjes së emigrantëve. Katër, pyetjet e ipeshkvijve polakë, e katër edhe përgjigjet e Papës Françesku, që e nisi takimin me një lutje për vdekjen e imzot Zimowskit dhe e vijoi me një tjetër, për shëndetin e kardinalit Macharski, të cilin e vizitoi në një klinikë të Krakovit më 28 korrik, pak para se të ndahej nga kjo jetë, në moshën 89 vjeçare.

Të prekësh, për të ngushëlluar

Lidhur me rrezikun e çkristianizimit, problemi më i vështirë është ai i prodhuar nga shekullarizimi. Françesku kujton vlerën e afërsisë, të kontaktit fizik, me korpin e munduar të Krishtit. Duhet konkretësi – porosit Papa – duhet prekje, mësim e ngushëllim. Priftërinjtë duhet të “humbasin kohë”, për të qenë pranë popullit të Zotit. Por edhe ipeshkvijtë duhet të jenë pranë priftërinjve, si etër, përndryshe nuk mund t’u kërkohet as atyre të jenë etër për njerëzit, që kanë përreth. Afërsia, pastaj, që është në kundërshtim me kulturën e hedhurinës. E Papa nuk heq dorë nga thirrja e tij: mos i lini të rinjtë duarkryq, mos i flakni gjyshërit, kujtesë e popullit dhe e fesë.

Botë e sëmurë nga padrejtësia

Ftesa për afërsi përsëritet edhe në pyetjen e dytë, kur një prelat e pyet Françeskun si mund të jenë të mëshirshëm, në një botë ku padrejtësitë ta marrin frymën. Papa kujton se që me Palin VI, por sidomos me Gjon Palin II, “viganin e Mëshirës”, kjo sjellje shkoi duke e zgjuar Kishën. Ajo, që i zhvendos ekulibrat - vijoi - edhe këtu është mëshira, që bëhet korp, janë “gjërat e mira” që, posaçërisht të krishterët i ndërtojnë për shoqërinë, punën, të sëmurët… Sigurisht, pranon Papa, bota në të cilën ka shpërthyer lufta e tretë botërore copa-copa, është e sëmurë nga padrejtësitë, nga mungesa e dashurisë, nga korrupsioni. Është botë "skllave e idhujtarisë së parasë”. Ku gjithçka shitet e blihet, deri njeriu. Një botë ku edhe ekonomia likuide favorizon korrupsionin e në të cilën të rinjtë nuk e kanë kulturën e punës sepse - kujton - nuk kanë punë!

Analfabetë në fe

Papa flet edhe për analfabetizmin fetar. Edhe ky, mjaft i përhapur, ndonëse, siç e pohoi edhe më parë, ndjehet një farë rizgjimi fetar. Për ta zhdukur këtë mungesë të themeleve të fesë, ka rëndësi shoqërimi i udhës shpirtërore me “tri gjuhë”: gjuhën e mendjes, gjuhën e zemrës dhe gjuhën e duarve. Që të trija, harmonikisht.

Famullia, vend i hapur e krijues

Pyetja e tretë ishte ajo drejtuar Papës për famullitë. Përgjigjja, e drejtpërdrejtë. Papa foli posaçërisht për rolin e famullisë sot. Si strukturë vijon të jetë me vlerë - pohoi - por duhet përtërirë. Rezultatet varen nga mënyra si organizohet puna. Ka famulli me sekretare, që duken si “dishepulle të shejtanit” e që i trembin njerëzit – kujtoi. – E ka edhe famulli me porta të mbyllura. Por ka edhe me porta të hapura, famulli që, kur vjen ndokush, e presin fare mirë, e pyesin dhe e dëgjojnë me durim. Pastaj tregoi çfarë kish ndodhur në një famulli, një herë, kur ishte në Buenos Ajres; “Kur vinin të fejuarit e thoshin: ‘Duam të vëmë kurorë këtu’, sekretarja përgjigjej me shumë njerëzi: ‘Po, këto janë çmimet’”. E kjo nuk shkon, nënvizoi Françesku, duke kujtuar se të jesh famullitar sot, është vërtet e lodhshme, po Zoti i ka thirrur  famullitarët për t’u lodhur paksa, për të punuar e jo për të pushuar. Famullia  duhet të jetë gjithnjë në dalje, pranë njerëzve në vështirësi, e jo famulli-zyrë.

Bujarë me emigrantët

Pyetja e fundit preku nervin e zbuluar të Evropës, mikpritjen e refugjatëve e të mërgimtarëve. Françesku e dënoi edhe një herë ashpër trafikun e armëve, duke e parë si shkak kryesor për zhvendosjen në masë të njerëzve, pasojë e konflikteve dhe e luftërave.

Për Françeskun, ashtu si për Benediktin XVI, epoka jonë është epokë e mëkatit kundër Krijuesit: “Zoti krijoi burrin e gruan, e ne bëjmë të kundërtën” – theksoi Papa - E më pas: “Në Evropë, Amerikë, Amerikë Latine, Afrikë e në disa vise të Azisë, vërejmë një kolonizim të mirëfilltë ideologjik, që ka një emër e një mbiemër: quhet “gender”. Tani shkolla u mëson fëmijëve se seksin mund ta zgjedhin vetë. E pse? Sepse librat janë të personave a të institucioneve me influencë, që japin para. Ky është kolonizim i mirëfilltë, theksoi Françesku. Gjithsesi, përveçse të luten, të gjithë kanë mundësi të jenë bujarë!  








All the contents on this site are copyrighted ©.