2016-08-02 15:30:00

Dita Botërore e Rinisë ishte…. Mozaik shumëngjyrësh


Dita Botërore e Rinisë ishte mozaik shumëngjyrësh, duke nisur nga fjalët e Papës, program jete si për të rinjtë e mbarë botës, ashtu edhe për Kishën universale.

Vetë Papa, gjatë udhëtimit të kthimit, theksoi: “Ishte një Poloni e posaçme, sepse përsëri e pushtuar, por këtë herë nga të rinjtë, apo jo? Krakovin e pashë vërtet të bukur. E polakët, tejet entuziastë.

Dita Botërore Rinisë ishte ngjarja më e bukur e Vitit të Mëshirës. Kështu shprehet kryeipeshkvi i Krakovit, kardinali polak Stanislaw Dziwisz, duke falënderuar Zotin që shtegtimi kaloi mrekullisht mirë, që rinia mbeti tejet e kënaqur nga mikpritja e familjeve polake e që atmosfera ishte e mahnitshme: plot gëzim, reflektim, lutje e simpati të jashtëzakonshme për Papën Françesku. Ishte vërtet një dhuratë e madhe, që Zoti i bëri Kishës, Polonisë, botës, kjo DBR e Mëshirës.

Pata rast të flisja me Papën - kujton kryeministrja polake Beata Maria Szydlo - e atëherë u kujtova se Polonia, për Atin e Shenjtë, është vend shumë i afërt, sepse tejet e afërt është për të figura e Gjon Palit II. Më tha: “E di se në gusht polakët nisen për shtegtim në shenjtëroret e ndryshme, se në Poloni është gjithnjë gjallë tradita e shtegtimit. Jam tejet e kënaqur që Ati i Shenjtë  e ndjeu nga afër Poloninë, i njohu polakët, e ndjeu veten  shumë mirë mes nesh.

Imzot Stanislaw Gadecki, kryeipeshkëv i Poznanit e kryetar i Konferencës ipeshkvnore polake, i quan ditët Botërore të Rinisë, kohë hiri  sepse “këtë që jetuam këto ditë - nënvizon - sidomos me meshën përfundimtare, me dy milionë e gjysëm pjesëmarrës, nuk e prisnim. Jemi tejet të kënaqur, edhe pse u kënaq Papa e u kënaqën të rinjtë, që i dhanë një përgjigje kaq të bukur thirrjes së Kishës”.

Imzot Wojciech Polak, kryeipeshkëv i Gnieznos, e quan DBR-në dhuratë të madhe të Papës. E ky mesazh buron drejt nga zemra e Kishës vendase, që u prek thellë nga nderimi e nga fjalët e Françeskut: nderim reciprok: Papa për Poloninë e Polonia për Papën. Polonia e Wojtylës për Bergoglion e Argjentinës… Në këtë respekt ndjehet fort universaliteti i Kishës katolike!

Por t’i dëgjojmë ç’thonë protagonistët, të rinjtë:

- Jemi shumë të emocionuar, shumë të gëzuar, që i jetuam me një mori miqsh e shokësh, këto çaste, kaq të veçanta. Çaste lutjeje, feste, mëshire!

 - Tepër të kënaqur që ishim në Poloni, me Papën Françesku, që është kaq i mirë

 -  Ishte shumë bukur, me lutje, rrëfime, meshë, këngë, gëzim…

- Më  prek thirrja për të qenë të mëshirshëm, si i mëshirshëm është Zoti. Kjo - thirrja për të gjithë ne, të rinjtë e botës. Këtë do ta mbartim me vete e do ta çojmë deri në skajet më të largëta, tani që morëm udhën e kthimit!

Për rrugën e kthimit mendojnë ata, që patën fatin të marrin pjesë në DBR-në e Krakovit, për rrugën e kthesës, ata që s’mundën të shkojnë, por e ndoqën nga mjetet e komunikimit. Ta dëgjojmë të rejat Ylvina Ndoi e Regjina Paluca, në mikrofonin e Klaudia Bumçit:

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.