2016-08-02 15:24:00

Atë Lombardi: faleminderës Papëve e kolegëve, 10 vjet ngarkuar me ngjarje


Atë Federico Lombardi u drejton një Letër përshëndetjeje gazetarëve të Sallës së Shtypit, në sa largohet nga detyra e Drejtorit të saj, por fjalët e tij prekin thellë edhe ata të Radio Vatikanit, që për shumë vjet e patën Drejtor – e Atë

“Po shkoj t’i them Pater Lombardit” – kjo shprehje dëgjohej shpesh në korridoret e Radios, ku punonjësit e ndjejnë veten si anëtarë të një familjeje aq, sa e quajnë vendin e punës “Familja e Radio Vatikanit”. E Federico Lombardi ishte Ati i kësaj familjeje të madhe që tani, në fillim të largimit të tij, ia ndjen fort mungesën. Madje nganjëherë shumëkujt i duket e pabesueshme që Drejtori nuk është në zyrë, nuk shihet më korridoreve, duke pyetur dikënd, duke ngushëlluar dikënd tjetër, duke ndihmuar në punë, duke i uruar dikujt ditën e emrit… Vinte, gjithnjë i palodhur, me çap gati të pandjeshëm, në Radio Vatikan, pasi kishte punuar një herë në CTV, e më pas në Sallën e Shtypit. Sepse ishte tri herë Drejtor! Po Radio ishte shtëpia e tij e vërtetë. E la pak ditë më parë. E tani largohet edhe nga Salla e Shtypit, duke lënë pas fjalë,  që të prekin thellë. Falënderon nga zemra ata, që i shprehën respektin e dashurinë; ata, që i pati përkrah gjatë kësaj rruge. Me të cilët ndoqi pas shërbesën e dy Papëve të mëdhenj, jetoi çaste shumë të rëndësishme të historisë së Kishës, e edhe të familjes njerëzore, duke u përpjekur për ta lexuar e për ta kuptuar.

Atë Lombardi falënderon edhe Papët, që e thirrën t’u shërbejë nga afër - Benediktin e Françeskun - por edhe të gjithë ata, që e ndihmuan dhe e  inkurajuan në punën e përditshme. “Për fat, nuk pata kurrë përshtypjen se ndokush nuk më mirëpriste a nuk më respektonte. Ishte thirrje e bukur, impenjative”, kujton atë Lombardi në letër, e na lë trashëgim një shprehje, që ia vlen ta mësosh përmendësh, për ta kujtuar ditën kur do të largohesh nga një impenjim, me të cilin kishe lidhur gjithë jetën. Na lë fjalën, që u tha Krishti dishepujve: “Kur ta keni bërë gjithçka, që ju është urdhëruar, thoni: ‘Jemi shërbëtorë të panevojshëm, bëmë atë që duhej të bënim’”(LK 17.10).

Por me që njeriu sa ka jetë, ka edhe angazhime, Atë Lombardi kujton edhe: “Tani do të rri në gatishmëri për të dëgjuar ç’do të më thotë Zoti”.

E, në përfundim atë Lombardi i uron gjithë bashkëpunëtorët ta vijojnë shërbimin e tyre plot përgjegjësi e, sidomos, Greg Burke e Paloma Garcia Ovejeron, që e zëvendësojnë në Sallën e Shtypit.

E ne kujtojmë se atë Federico Lombardi, i cili dje, pas 10 vjetësh, përfundoi detyrën në krye të Sallës së Shtypit të Vatikanit, u emërua dje kryetar i Këshillit Administrativ të Fondacionit vatikanas “Joseph Ratzinger – Benedikti XVI”, me një letër të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin.








All the contents on this site are copyrighted ©.