2016-08-01 14:58:00

Festa e Shën Gajtanit. Papa: kush kërkon punë, kërkon dinjitet


“Kur kërkojmë punë për të çuar bukën në shtëpi, kërkojmë dinjitet”. Kështu i shkruan Papa kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Argjentinës, imzot José Maria Arancedo, me rastin e festës liturgjike të shën Gajtanit nga Thiene, e cila kremtohet më 7 gusht. Në Amerikën Latine, ai njihet si Pajtor i bukës dhe i punës. Çdo vit, argjentinasit shkojnë në shtegtim në shenjtëroret e shumta, që i kushtohen shenjtit në vendin e tyre.

         Papa Françesku kujton në mesazh si e kremtonte këtë festë në Buenos Ajres, kur ishte akoma kardinali Bergoglio: mesha në shenjtëroren e Liniers e pastaj, radha e gjatë me njerëz, deri në stadiumin e Velez-it. Kryeipeshkvi i Buenos Ajresit i përshëndeste, duke përshkuar fushën.

         “Para ankthit të burrave e grave, që kërkojnë punë e nuk e gjejnë – shkruan Ati i Shenjtë – arrija vetëm t’u shtrëngoja duart, t’i përkëdhelja, t’i shihja në ato sy plot me lot dhimbjeje e të derdhja edhe unë lot brenda vetes”. “Është e vështirë – vëren Papa – të takosh një baba, që kërkon punë, por nuk ka asnjë mundësi ta gjejë”.

         “Shën Gajtanit – vjon Françesku – i kërkojmë bukë e punë. Bukën është më lehtë ta gjejmë”, sepse gjithnjë është ndokush i gatshëm ta japë, por pa punë, zgjidhim vetëm gjysmën e problemit. Ati i Shenjtë përmend urtinë popullore argjentinase, e cila e përbuz atë, që jeton në kurrizin e të tjerëve, edhe kur ka mundësi të punojë: kur çon në shtëpi bukën, fryt i punës, atëherë ke dinjitet. Papa Françesku uron që të gjithë ipeshkvijtë argjentinas të dinë t’i shoqërojnë me dashuri, afërsi e lutje ata, që kërkojnë bukë e punë.








All the contents on this site are copyrighted ©.