2016-07-31 15:57:00

Papa me vullnetarët: kujtoni e guxoni, që të jeni shpresë për të ardhmen


Dy takimet e fundit, para se Papa t’i jepte lamtumirën Polonisë, ishin me vullnetarët dhe me Komitetin organizator si dhe me bamirësit e DBR-së. Takimi u mbajt në Tauron Arena të Krakovit. Është një pallat i madh sporti, që mund të zërë më se 15 mijë vetë. E kujtojmë këtë, sepse në  ngjarjen rinore botërore u aktivizuan më se 20 mijë vullnetarë. Detyrat e tyre ishin të ndihmonin shtegtarët, të jepnin informacione për stacionet hekurudhore, tramet, autobuset e aeroportet. Punuan edhe në qendrat e shtypit, për përkthime, e u morën me të gjitha veprimtaritë e tjera të nevojshme duke e orientuar atë turmë, që e kapërcente shumë milionin: 

 “Para se të kthehem në Romë, desha t’ju takoj e, posaçërisht, t’ju falënderoj për angazhimin, bujarinë e përkushtimin, me të cilin i shoqëruat, i ndihmuat e u shërbyet mijëra shtegtarëve të rinj”.

Kështu Papa, që vijoi t’i falënderonte edhe, e sidomos, për dëshminë e fesë që, e bashkuar me atë të të rinjve ardhur nga mbarë bota,  është shenjë e madhe shprese për Kishën e për njerëzimin. Sepse duke u dhuruar për Krishtin, njeriu provon sa gjë e bukur është të angazhohesh për një kauzë fisnike.

 “Dëgjo, vendos e vepro me guxim! Vepro pa frikë se po shkon kundër rrymës”.

Kjo, thirrja përfundimtare, që u bëri Françesku vullnetarëve të DBR-së të sapo përfunduar:

“Janë tri sjelljet e Marisë, që ju ndihmojnë ta lexoni përvojën e këtyre ditëve të rinisë e të ecni përpara në udhën e shërbimit”, shpjegon në fjalimin  e përgatitur, dorëzuar drejtuesve.

Pastaj në bisedën e lirë, tri fjalë të tjera: “Kujtesa, guximi e ardhmëria”.  Pyesni gjyshat - i porositi vullnetarët e rinj Papa - e ata do t’ju tregojnë kush jeni, sepse kjo nuk duhet harruar; e në se keni kujtesën, e dëshironi të keni shpresë për të ardhmen, sot ju duhet guximi! Guxim, pra!

Kjo, pjesa e bisedës së lirë, gazmore e impenjative, me të rinjtë, në kulmin e entuziazmit. I entuziazmuar edhe vetë Papa, pa asnjë shenjë lodhjeje, në sa në ekran dukej një dorë. Mbante një zemër. Zemër, që rrihte fort, në ekran, e dukej sikur thoshte: “Të pritëm me zemër në dorë, Atë i Shenjtë. E do të të ndjekim pas me zemër në dorë”.

Ndërsa Papa: “Nuk e di nëse do të jem në Panama, por sigurisht do të jetë Pjetri!”.

E nësa ne transmetojmë, Françesku po arrin në Vatikan. Por mos të harrojmë: Papa, që predikon daljen, është gati të dalë përsëri, për t’u nisur drejt Asisit, më 4 gusht. Françesku shkon të jetojë ndjesën e Shën Françeskut, në Porciunkola.

Shtegtimi i ardhshëm, drejt Asisit, më 4 gusht, për paqen në botë... 

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.