2016-07-31 11:58:00

Papa, të rinjve: nuk kemi lindur për të vegjetuar, por për ta ndryshuar botën


“Nuk kemi ardhur në botë për të vegjetuar, për të jetuar mbi divan, por për të lënë gjurmë” e për t’u mësuar të mëdhenjve të botës “të ndërtojnë ura vëllazërimi”. I fusqishëm, mesazhi i Papës Françesku para rreth 1 milion e 600 mijë të rinjve, që u mblodhën mbrëmë në Campus Misericordiae të Krakovit për lutjen e Ditës Botërore të Rinisë me Atin e Shenjtë. Me fjalën e tij, pasi dëgjoi dëshmitë e dhimbshme të tre të rinjve, Papa i ftoi të gjithë të ecin në rrugën e Zotit, për të kapërcyer frikën dhe terrorin, që e paralizojnë jetën. Të rinjtë, ngriti zërin Françesku, t’u mësojnë të rriturve si të jetojnë, duke pranuar paqësisht ndryshimet ndërmjet njerëzve.

Urë vëllazërimi, për ta ndryshuar botën

         “Sot – tha Ati i Shenjtë – ne të rriturit kemi nevojë për ju, për të na mësuar të bashkëjetojmë në larmi, në dialog, për ta kuptuar larminë kulturore jo si kërcënim, por si mundësi: kini guximin të na mësoni se është më e lehtë të ndërtohen ura se të ngrihen mure!... Të ndërtojmë ura: a e dini cila është ura e parë për t’u ndërtuar? Një urë, që mund ta realizojmë këtu e tani: t’i shtrëngojmë duart njëri-tjetrit, t’i japim dorën njëri-tjetrit. Forca, ndërtojeni tani, këtu, këtë urë të parë, jepini dorën njëri-tjetrit. Është ura e madhe vëllazërore e mund të mësohen ta bëjnë edhe të mëdhenjtë e kësaj bote!...”.

Jo “lumturisë së divanit”, ecni në rrugë të reja e ngjitjani gëzimin botës

         Duar të zeza, të verdha, të bardha u ngritën, të shtrënguara, drejt qiellit, në shenjë bashkimi e pajtimi. Është “selfie” i mbrëmësores së lutjes së DBR-së në Krakov, ndriçuar me drita rozë e të kaltërta, ngjyrat e mëshirës. Në pozë, të rinj ardhur nga kultura e vende, edhe të largëta. Zinxhiri i vëllazërimit të të rinjve të mbledhur rreth Papës Françesku është gjurma, që ata duan të lënë për të mëdhenjtë e kësaj bote, duke iu përgjigjur ftesës së Jezu Krishtit. Jehon akoma thirrja e Papës, që së bashku me gjashtë të rinj – një, përfaqësues i Polonisë e 5 të tjerë, të pesë kontinenteve – kapërceu Portën e Mëshirës: mos jetoni si të fjetur, mos i lejoni të tjerët të vendosin për të ardhmen tuaj, në vend të rehatisë zgjidhni lirinë, braktiseni divanin e paralizës e, protagonistë të historisë, vishni këpucët, ato atletike, për të ecur në rrugët e Zotit e për ta “infektuar” botën me gëzim:

         “Juve ju pyes, ju pyes juve: a doni të jeni të rinj të fjetur, të trullosur, të habitur? [Të rinjtë përgjigjen: jo!] A doni që të tjerët të vendosin për të ardhmen tuaj? [Të rinjtë përgjigjen: jo!] A doni të jeni të lirë? [Të rinjtë përgjigjen: po!] A doni të jeni plot gjallëri? [Të rinjtë përgjigjen: po!] A doni të luftoni për të ardhmen tuaj? [Të rinjtë përgjigjen: po!] Nuk jeni edhe aq të bindur, eh? A doni të luftoni për të ardhmen tuaj? [Të rinjtë bërtasin më fort: po!] Të dashur të rinj, nuk kemi ardhur në botë për të ‘vegjetuar’, për t’ia kaluar rehat, për të bërë jetën e divanit, që na vë në gjumë; përkundrazi, kemi ardhur për diçka tjetër, për të lënë gjurmë. Ka shumë njerëz, që nuk i duan të rinjtë të lirë; ka shumë njerëz që nuk ju duan, që ju duan të trullosur, kukulla, të fjetur: por kurrë të lirë! Jo, kjo jo! Duhet ta mbrojmë lirinë tonë!”.

Asgjë nuk e justifikon gjakun e vëllait

         Ngarkuar me shpresë e shenja bashkimi, heshtja e lutja para Jezusit në Eukaresti, që të rinjtë e shumtë e adhuruan në gjunjë, së bashku me Papën, në këtë natë të veçantë në Krakov. Së pari, një koreografi sugjestive, frymëzuar nga jeta e shën Faustina Kowalskës; pastaj, në ekranet e mëdha, imazhet e terrorizmit, të pasuara nga figura e Gjon Palit II, duke e falur atë, që e qëlloi për vdekje; e më tej akoma, paraqitja e rinisë që vuan, indiferente, e shkurajuar, plot dyshime. Shoqëruar nga tinguj evokativë, u dëgjuan dëshmitë e tre të rinjve: një polake, një paraguajan dhe një siriane nga qyteti i harruar i Halebit. Ata ndanë me të pranishmit dhe me Papën përvojën e tyre të Mëshirës Hyjnore, me të cilën Ati Qiellor i shkëput nga mëkati; u jep gjithnjë një mundësi tjetër atyre, që bien në humnerën e drogës; u jep guxim atyre, që dalin nga shtëpia pa e ditur nëse do të kthehen, ose nëse do t’i gjejnë gjallë familjarët kur kthehen, siç tregonte historia e sirianes. Të rinjtë, që përjetojnë luftën, theksoi Ati i Shenjtë, nuk janë më anonimë, thjesht një lajm nëpër gazeta, por kanë emër, fytyrë, histori:

         “Mjaft me qytete të harruara, kurrë nuk duhet të ndodhë që vëllezërit tanë ‘të rrethohen me vdekje e me vrasje’ e të ndjejnë se askush nuk do t’i ndihmojë. Ju ftoj të lutemi së bashku, për hir të vuajtjes së sa e sa viktimave të luftës, që ta kuptojmë një herë e përgjithmonë se asgjë nuk e justifikon gjakun e vëllait, se asgjë nuk është më e çmuar se personi, që kemi pranë”.

Të jeni protagonistë. Krishti fiton mbi frikën, që paralizon

         Papa i ftoi me forcë të gjithë të mësojnë nga shkolla e mëshirës së shën Gjon Palit II dhe e shën Faustina Kowalskës, e cila i bëri të njohur botës imazhin e Krishtit të Mëshirshëm, vendosur edhe në Campus Misericordiae në Krakov. I ndërprerë nga duartrokitje të vazhdueshme, Françesku i këshilloi të rinjtë të realizojnë një ëndërr: “marrinë” e Zotit, që i kërkon secilit, në çdo fushë të jetës, ta ndryshojë botën, të fitojë, së bashku me Krishtin, mbi frikën që të bën të mbyllesh e të paralizohesh, duke të vjedhur shijen e takimit e të miqësisë:

         “Ne tani, nuk do të vihemi të bërtasim kundër ndokujt, nuk do të grindemi, nuk duam të shkatërrojmë. Ne nuk duam ta mundim urrejtjen me urrejtje më të madhe, të fitojmë mbi dhunën me dhunë më të madhe, ta zhdukim terrorin me më tepër terror. Përgjigjja jonë për botën në luftë, e ka një emër: quhet vëllazërim, …quhet vëllazërim, quhet bashkim, quhet familje”.

         Zoti nuk i llogarit gabimet e kaluara, vë bast mbi të ardhmen e për ta ndryshuar botën, nguli këmbë Papa Françesku, thërret këdo, që është i gatshëm ta verë në lojë jetën. E ata, të rinjtë e DBR-së së Krakovit, dëshmuan se janë gati ta lënë atë gjurmë vëllazërimi, që e ndryshon horizontin e së ardhmes.








All the contents on this site are copyrighted ©.