2016-07-31 18:37:00

Francë e Itali: të krishterë e myslimanë, në Meshë kundër terrorizmit


Në Francë sot ishte dita e lutjes së përbashkët e të krishterëve dhe myslimanëve, të ftuar nga autoritetet islamike franceze për të marrë pjesë në Meshën e së dielës për solidaritet kundër vrasjes së atë Hamel pranë Rouen, nga dy terroristë të lidhur me Shtetin e vetëshpallur Islamik. Nisma u prit pozitivisht edhe në Itali.

“Duaji të gjithë, mos urre askënd” shkruhej në afishen që rreth njëqind myslimanë e sollën sot paradite në Katedralen e Rouen, për të nderuar, së bashku me dymijë të krishterë, kujtimin e atë Hamel. Kryeipeshkvi i qytetit, imzot Dominique Lebrun, i falënderoi në fillim të Meshës:

“Pohoni, kështu, se nuk e pranoni vdekjen, as dhunën, në emër të Zotit - tha - sepse siç e dëgjuam nga gojët tuaja, ky nuk është Islami”. Myslimanë në Kishë, edhe në Paris, Bordeaux e Nizza, vend i atentatit të 14 qershorit të kaluar. Nismë, kjo, që u vu në jetë me sukses edhe në Itali. Nga veriu në jug, ishin më se 14 mijë besimtarë islamikë që, sipas kryetarit të bashkësisë së botës arabe italiane, Foad Aodi, morën pjesë sot paradite në Meshën e së dielës. Imamët, që drejtojnë tri xhamitë, ishin në Romë, në  Bazilikën e Shën Marisë në Trastevere. Delegacione, edhe në Trieshtë, Firence, Napoli e Palermo. Kudo, thirrje për dialog e bashkëpunim ndërmjet të krishterëve e myslimanëve. “Ne na vjen shumë keq kur flitet për terrorizëm islamik”, shpjegon imami Vobarno, në provincën e Breshias, vend ku u rrit një nga foreign fighters italian. “Janë kriminelë  e të dështuar”, tha, e “si unë mendojnë edhe shumica e hoxhëve të tjerë”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.