2016-07-30 18:54:00

Papa, jezuitëve polakë: impenjimi juaj të jetë konkret


Papa Françesku u takua pasdite me jezuitët polakë në Krakov. Vizitë jashtë programit, e thjeshtë e familjare, për të cilën na njofton drejtori i revistës “Qytetërimi Katolik”, atë Antonio Spadaro:

         Është një “jashtë programit”, që tashmë është bërë e zakonshme, sepse Papa Françesku i takon gjithnjë – o gati gjithnjë – jezuitët, në udhëtimet e tij. Ishte takim shumë i bukur, shumë i thjeshtë, shumë i qetë: fillimisht përshëndeti secilin, një për një, edhe duke i përqafuar disa, që i njihte qëkur e, pastaj, tha se s’kishte aspak ndërmend të mbante fjalime. Kështu që dialoguam së bashku, bëmë pyetje… I bënë disa pyetje shumë të rëndësishme. Për shembull, cili është kuptimi i punës universitare, që bën Shoqëria e Jezusit, pra, puna me kulturën. Papa na tha se impenjimi duhet të jetë i fuqishëm, duhet të jetë “në dalje” – me fjalën që e përdor shpesh – pra, një impenjim konkret, që ka të bëjë me realitetin e jo vetëm me idetë abstrakte. E na këshilloi t’u qëndrojmë afër të mënjanuarve e t’u rrimë larg parave. E pastaj foli edhe për impenjimin me meshtarët. Na tha: “Sot, ka rrezik që meshtari, kur nuk është formuar mirë, t’i shohë punët o tepër bardh, o tepër zi, duke zbatuar thjesht e mekanikisht normat. Ndërsa është e rëndësishme shoshitja, e cila duhet të jetë zemra e jetës baritore: shoshitja. Prandaj, duhet t’i ndihmojmë meshtarët, seminaristët ta ndajnë shapin nga sheqeri e kjo – na tha – është një nga detyrat themelore të Shoqërisë së Jezusit sot”.

         Takimi i Papës me jezuitët polakë zgjati 30-40 minuta. Papa përshëndeti një grup prej 30 vetësh, ku ishin të pranishëm edhe provincialët. Më bëri përshtypje fakti që shumica ishin të rinj, madje ishte edhe një grup i saposhuguruar, pra, të linte shijen e freskisë. Papa buzëqeshi shpesh e qeshi me të madhe. Takim shumë i bukur, shumë i ndjerë, por edhe me profil të rëndësishëm, edhe shpirtëror. 








All the contents on this site are copyrighted ©.