2016-07-30 18:31:00

Gëzimi i të rinjve, për drekë me Papën


Pas meshës me meshtarët polakë në shenjtëroren e Shën Gjon Palit II, në Krakov, Papa Françesku shkoi në kryeipeshkvi ku ndenji për drekë së bashku me 12 të rinj nga pesë kontinentet, shoqëruar nga zëdhënësja e DBR-së.

         Ishte një çast familjar, me një meny polake, me batuta, të qeshura e fotografi. Të rinjtë mundën të flisnin lirisht me Atin e Shenjtë. Një vajzë e pyeti ç’kishte ndjerë kur u zgjidh Papë: ndjeva paqe – u përgjigj Françesku – paqe, që është hir prej Zotit e më shoqëron edhe tani. Duke iu përgjigjur pyetjeve të tjera, Ati i Shenjtë tregoi se rrëfehet çdo 15-20 ditë tek një françeskan dhe shpjegoi se nuk duhet të kemi turp për t’i thënë mëkatet tona. Pastaj, kujtoi rrëfimin e tij, në moshën 17-vjeçare, në Argjentinë, vendimtar për thirrjen në meshtari. Aty e ndjeu deri në palcë mëshirën e Zotit. Për Papën, rrëfimi do të thotë që Zoti të të hedhë vështrimin plot dashuri, i cili fal gjithçka.

         Më pas, gjithnjë duke iu përgjigjur pyetjeve, vërejti se sa herë hyn në ndonjë burg, mendon se mund të jetë ai vetë në vend të të burgosurve e se vetëm Hiri i Tënzot ia ka shmangur atë fat. Pohoi se sfida më e madhe për të rinjtë është të mos e humbasin shpresën e të mos i nënshtrohen botës. Dikush e pyeti cila është pjata e tij e preferuar. Nuk kam ndonjë – u përgjigj – por më pëlqen kuzhina polake. Por të dëgjojmë njërin nga të rinjtë, që ishte në drekë me Papën Françesku, brazilianin José Pasternak, vullnetar në DBR-në e Krakovit:

         Ishte e pabesueshme dhe e paharrueshme. Ati i Shenjtë është njeri shumë i përvujtë, shumë i këndshëm, e gjatë drekës ishim krejt të lirshëm. Iu përgjigj gjithmonë pyetjeve tona e foli me secilin. Edhe kur ndonjëri rrinte në heshtje, Papa i thoshte: “Po ti ç’ke dëshirë të pyesësh?”. Pra i kushtoi një vëmendje të jashtëzakonshme secilit prej nesh.

         Për çfarë folët?

        Folëm për tema të ndryshme. Patëm mundësinë ta pyesnim si i shihte gjërat. E pyetëm: “Si luteni Atë i Shenjtë?” e ai na u përgjigj; “Po si je Atë i Shenjtë? A je i lodhur?”. Ishte gjithnjë shumë i lumtur e i gatshëm me të gjithë ne. Na u përgjigj gjithmonë, konkretisht e thellësisht. Sipas meje, ai është sinteza e njerëzores dhe shpirtërores, të dyja bashkë: Ati i Shenjtë e jeton atë për të cilën lutet; e atë që jeton mund të na e dëshmojë edhe me fjalë.

         Çfarë do të marrësh me vete në shtëpi nga kjo DBR e Krakovit?

         Nga DBR-ja do të marr në zemër edhe këtë punën e përgatitjes si vullnetar; bashkëpunimin me njerëz nga vende të ndryshme, nga kultura e kombe të ndryshme. Mbart këtë zemra ime, pas përvojës me shtegtarët, që kanë ardhur këtu nga larg, duke bërë përpjekje të mëdha; mbart buzëqeshjen dhe vështrimin e secilit. E mendoj se ky takim me Atin e Shenjtë, imazhet e fjalët e tij, do të më mbeten përgjithmonë në zemër.








All the contents on this site are copyrighted ©.