2016-07-29 17:46:00

Papa ndër fëmijët e sëmurë: dhembshuria për më të brishtët na bën më humanë


“Dua të rri pak pranë çdo fëmije të sëmurë, pranë shtratit të tij, dua t’i përqafoj një nga një, të dëgjoj vetëm për një çast secilin prej jush e së bashku, të rrimë në heshtje para pyetjeve për të cilat nuk ka përgjigje të menjëhershme. E të lutemi”.

         Papa Françesku e bëri të qartë që në fillim synimin e vizitës së tij në spitalin pediatrik të Prokocim, ku shkoi sot pasdite në orën 16.30, pasi kishte kaluar një paradite të vështirë, në heshtje e në lutje, në kampin e përqendrimit nazist të Aushvic-Birkenaut. Nga një dhimbje në tjetrën! Spitali Pediatrik universitar i Prokocimit është më i madhi në jug të Polonisë. Aty shtrohen çdo vit rreth 30 mijë fëmijë, por mjekohen pa u shtruar edhe 200 mijë të tjerë. Ndërtimi i tij filloi me nismën e diasporës polake në SHBA-të dhe u financua, në fund, nga qeveria amerikane. Gjatë pesë dhjetëvjeçarëve të jetës së vet, në këtë spital kanë kaluar 900 mijë pacientë. Është shumë i përparuar në ndarjen e binjakëve siamezë, në trajtimin e djegjeve dhe të sëmundjeve të zemrës.

         E sot, Papa Françesku, ashtu si shën Gjon Pali II në vitin 1991, shkoi për vizitë tek të sëmurët, për këtë vepër mëshire, që na e ka mësuar vetë Jezu Krishti, i cili, siç nënvizoi Bergoglio, i shihte gjithnjë me dhembshuri të sëmurët, i priste e shkonte t’i takonte me dëshirë:

         “Sa do të doja që, si të krishterë, të jemi në gjendje të rrimë pranë të sëmurëve sipas mënyrës së Jezusit, në heshtje, me një përkëdhelje, me lutje. Fatkeqësisht, shoqëria jonë është e ndotur nga kultura e hedhurinave, diametralisht e kundërt me kulturën e mikpritjes. E viktimat e kulturës së hedhurinave janë pikërisht më të dobtit, më të brishtët; e kjo është mizori”.

         Kësaj pamjeje të zymtë, Papa i vuri përballë pamjen mikpritëse të spitalit, me të vegjlit, që gjejnë aty kujdes e shërim. Falenderoi për këtë shenjë njerëzore e kristiane qytetërimi e kërkoi të vendosen në qendër të vëmendjes shoqërore e politike njerëzit më nevojtarë, shpesh të sëmurë, për të cilët kujdeset vetëm familja:

         “Çfarë të bëjmë? Nga ky vend ku shihet dashuria konkrete, dua të them: t’i shumëfishojmë veprat e kulturës së mikpritjes, vepra të frymëzuara nga dashuria e krishterë, nga dashuria e Jezu Krishtit në kryq, për korpin e Krishtit. Shërbimi plot dashuri dhe ëmbëlsi ndaj njerëzve, që kanë nevojë për ndihmë, na e shton të gjithëve humanitetin e na hap shtegun drejt jetës së amshuar: kush bën vepra mëshire, nuk ka frikë nga vdekja”.

         Së fundi, Papa i inkurajoi mjekët, infermierët, gjithë personelin, por edhe kapelanët e vullnetarët, ta vijojnë punën e tyre me kushtim e iu lut Zotit t’ua shpërblejë impenjimin, me paqen e brendshme e me një zemër, gjithnjë të aftë për të dhuruar ëmbëlsi.

         Ati i Shenjtë vizitoi më pas disa korsi të repartit të urgjencës, u takua me pacientët e vegjël dhe me familjet e tyre. Së fundi, u ndal në kapelë, ku u ul në gjunjë para të Shenjtnueshmit Sakrament. Po këtu ndodhen edhe disa relike të shën Gjon Palit II.








All the contents on this site are copyrighted ©.